Zhupa: Dështimi i zgjedhjeve të 11 majit ndodhi prej farsës elektorale

Shqipëria

Zhupa: Dështimi i zgjedhjeve të 11 majit ndodhi prej farsës elektorale

Më: 20 qershor 2025 Në ora: 21:06
Ina Zhupa

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa u shpreh sot se dështimi i zgjedhjeve të 11 majit ndodhi për shkak të farsës elektorale, që sipas saj, do të faktohet dita-ditës nga opozita.

“Ne jemi një vend që organizonin për herë të parë zgjedhje pas hapjes së negociatave, themelore ishin të drejtat e njeriut dhe sigurisht zgjedhjet. Dhe ne dështuam në organizimin e zgjedhjeve sepse në Shqipëri pati një farsë elektorale, po nga ngjarjet që u faktuan dhe po faktohen dita-ditës nga opozita”,-tha Zhupa.

Në një intervistë në ‘Syri TV’, Zhupa komentoi edhe lidhur me takimet e opozitës në Strasburg.

“Ne kemi qenë në takimet 2 ditore në Strasburg, një delegacion nga opozita dhe mazhoranca, pa përjashtim dhe në fokus procesin e integrimit dhe mbikëqyrjen e marrëveshjes së stabilizim asociimit. Sigurisht që ne bëmë detyrën, duke treguar qartësisht para eurodeputetëve situatën reale të Shqipërisë dhe atë që ndodhi në zgjedhjet e 11 majit edhe si një kontribut që ne japin në procesin e integrimit. Në fakt, opozita shqiptare duhet thënë që në këto 12 vite e ka treguar qartësisht që ka vullnet në procesin e integrimit që ka votuar gjithmonë ato detyrime ligjore dhe ato rregulla që e përafronin Shqipërinë me BE, dhe çdo denoncim që ne bëjmë në Strasburg dhe çdo e vërtetë që ne themi është në funksion të arritjeve standarde të BE, themelore në klasterin e parë”,-tha Zhupa.

Zhupa tha se nga eurodeputetët në Strasburg është vullneti për ta monitoruar më nga afër Shqipërinë dhe për të ndjekur të gjithë këtë proces që ka të bëjë në radhë të parë me zgjedhjet.

 “Ne atje paraqitëm qartësisht të gjitha faktet që lidhen qoftë me raportet që bëri OSBE-ODIHR në mënyrën se si e kishte parë dhe si e kishte evidentuar procesin zgjedhor që nga përdorimi i burimeve publike, i fondeve publike, i administratës publike. OSBE vetë e quan një garë të pabarabartë mes aktorëve ku njëri ishte shteti elektoral, PS, dhe tjetra ishte një forcë politike normale që kandidonte me program dhe kandidatë siç ishte Partia Demokratike. Ajo që shkoi mirë në Strasburg është vullneti i eurodeputetëve për ta monitoruar më nga afër Shqipërinë, për të ndjekur të gjithë këtë proces që ka të bëjë në radhë të parë me zgjedhjet në Shqipëri. Sepse nuk mund të ketë kriter politik të plotësuar, nëse nuk ke zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri”,-tha Zhupa.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat