Vlorë/ Rritet numri i vizitave në Spitalin Psikiatrik për shkak të temperaturave të larta, apelohet për kujdes

Shqipëria

Vlorë/ Rritet numri i vizitave në Spitalin Psikiatrik për shkak të temperaturave të larta, apelohet për kujdes

Më: 22 qershor 2025 Në ora: 13:08
Foto ilustrim

Në Spitalin Psikiatrik të Vlorës është shënuar një rritje e ndjeshme e numrit të vizitave ditore gjatë këtyre ditëve të nxehta të qershorit, duke arritur deri në 30 vizita në ditë. Një pjesë e këtyre rasteve kërkojnë shërbim spitalor.

“Janë shtuar rastet që kërkojnë ndihmë mjekësore, si në qendrën komunitare ashtu edhe në ambientet e vetë spitalit, i cili mbulon të gjithë jugun e vendit”, u shpreh Stiliano Lepuri, mjek psikiatër.

Sipas tij, temperaturat e larta ndikojnë ndjeshëm në përkeqësimin e gjendjes së pacientëve, veçanërisht tek ata që vuajnë nga ankthi, sëmundje kronike mendore, ose përdorues të substancave narkotike dhe alkoolit.

“Nuk mungojnë as të rinjtë, të cilët shpesh paraqiten për vizitë ose përfundojnë të shtruar për trajtim më të zgjatur”, shtoi ai.

Në qendrën komunitare të shëndetit mendor aktualisht kryhen mbi 35 vizita në ditë. Jo të gjitha rastet kërkojnë shtrim, por një pjesë marrin mjekim ambulator dhe largohen pas konsultës.

Janë regjistruar edhe disa raste turistësh të huaj që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, kryesisht për shkak të përdorimit të substancave gjatë qëndrimit në Vlorë. Dy prej tyre kanë marrë shërbim spitalor për disa muaj.

Mjeku psikiatër ka bërë apel për kujdes të shtuar gjatë kësaj periudhe të nxehtë, duke këshilluar pacientët të shmangin daljet në diell, të marrin rregullisht mjekimet dhe të mos konsumojnë alkool.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat