Ish ambasadori Arben Çejku: Veprimet e Trump, të pashmangshme, Irani ishte gati të prodhonte bombën

Shqipëria

Ish ambasadori Arben Çejku: Veprimet e Trump, të pashmangshme, Irani ishte gati të prodhonte bombën

Më: 28 qershor 2025 Në ora: 19:26
Ish-ambasadori Arben Çejku

Ish-ambasadori Arben Çejku analizoi në “Kjo Javë”, zhvillimet e fundit mes Iranit dhe Izraelit, duke i cilësuar 12 ditët e fundit si historike për politikën botërore. Sipas tij, Izraeli ishte përgatitur për një luftë të shkurtër e goditëse, duke synuar komandën ushtarake të Iranit. Ai theksoi se Irani, ndonëse ka krijuar imazh të fuqishëm, u godit nga Izraeli dhe SHBA dhe ishte afër prodhimit të bombës bërthamore.

Çejku shtoi se Izraeli kërkonte edhe ndryshimin e regjimit në Teheran, por SHBA dhe Izraeli nuk kanë interes që regjimi të bjerë për të shmangur rrezikun e grupeve ekstremiste.

Ai vuri në dukje se Irani po rikuperon imazhin e brendshëm për të ruajtur pushtetin, ndërsa paqja mbetet e domosdoshme. Në fund, theksoi se aktualisht të gjitha palët e shohin veten si fituese.

Arben Çejku, ish-ambasador: Këto 12 ditë në pjesën më të madhe të kohës kam bërë analiza për ngjarjen. Janë 12 ditë që do ngelen gjatë në historinë politikë botërore. Këto 12 ditë treguan se Izraeli ishte përgatitur për një luftë të shpejtë, afatshkurtër, me përqendrim force të madhe për goditjen e strukturës ushtarake e komanduese të Iranit. Irani u vu re se, edhe pse ka krijuar një mit, sikur është tepër i fuqishëm, mori goditje nga Izraeli dhe SHBA. Pritej goditja nga bombarduesit amerikanë B-2, sepse ishin të vetmit që mund të bombardojnë centralet bërthamore iraniane. Veprimet e Trump ishte të pashmangshme. Nga informacionet që kanë qarkulluar, duket se Irani ishte pranë prodhimit të bombës bërthamore. Irani ka zhvendosur uranium dhe shpresojmë që CIA e Mossad e di se ku është zhvendosur ky uranium. Goditja ndaj Iranit bën që Teherani mos ta mendojë për dekada prodhimin e bombës bërthamore.

Izraeli donte edhe ndryshimin e regjimit në Iran. Irani nuk është se ka shumë aleatë myslimanë, edhe për faktin që ka atë regjim që ka. Shumë vende myslimane nuk janë bashkuar me goditjet që ka bërë Izraeli, duke pasur në prapavijë edhe dramën e Gazës. Irani po rikuperon imazhin e vet së brendshmi, që mos dëmtohet imazhi i pushtetarëve në sytë e qytetarëve iranianë. Vendosja e paqes duhet të vazhdojë, por kam idenë që regjimi iranian po kërkon të fitojë terren për të mbajtur pushtetin. Edhe SHBA e Izraeli nuk kanë interes që në Iran të bjerë regjimi dhe më pas ekziston rreziku që në shtetin iranian të dalin grupe ekstremiste, duke e bërë këtë vend akoma më me rrezik nga se është. Jemi në fazën, ku të gjitha palët e shohin veten fitues.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat