Një tjetër aksident me monopatinë është regjistruar në kryeqytet, ku një 17-vjeçar është përplasur nga një automjet teksa po lëvizte me monopatinë.
Si pasojë, i riu ka pësuar dëmtime dhe ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Specialistët e qarkullimit rrugor referuan materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për drejtuesin e automjetit, shtetasin Sh. Q., 40 vjeç.
Policia rrugore po vijon hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe përgjegjësinë për aksidentin, ndërsa apelon për kujdes të shtuar nga drejtuesit e mjeteve dhe përdoruesit e rrugës, veçanërisht në rastet kur përfshihen mjete alternative si monopatinat elektrike.