Nga kontrollet e vazhdueshme që ushtrohen për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë, shërbimet e DVP Kukës, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, kanë goditur dy raste në fushën e narkotikëve.
Në qytet, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin D. D., dhe pasagjerë shtetasit G. Sh. dhe V. E. Gjatë kontrollit fizik të tyre, iu gjetën sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis sativa, e ndarë në 14 doza, me qëllim shitjen, raporton KosovaPress.
Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan në flagrancë shtetasit D. D., (20), G. Sh. (18), dhe V. E. (27), banues në Shëmri dhe Kukës.
Po nga këta specialistë, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. R., (28), banues në Kukës, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale prodhimi dhe shitja e narkotikëve.