Një vatër zjarri është aktivizuar në Parkun Natyror të Gërmenjës, poshtë piramidës 15. Zjarri nuk është përhapur drejt Rezervatit Gërmenj-Shelegur, ndërsa rreth 60 forca nga disa institucione po punojnë për izolimin e flakëve.
Ndihmë në terren po ofrohet edhe nga ushtria dhe vullnetarë. Parashikimet e motit tregojnë për reshje shiu rreth mesditës, çka mund të ndihmojë në shuarjen e zjarrit, raporton gazetarja Lorena Kodra.
SITUATA NË PARKUN NATYROR TË GËRMENJËS, Dt. 18.08.2025
Në bazë të hartës kemi një përhapje të zjarrit poshtë piramidës 15 në thellësi të territorit tonë, por në drejtim të Rezervatit Gërmenj-Shelegur nuk ka përhapje të re. Forcat (rreth 60) nga MZSH Kolonjë, drejtoria rajonale e Zonave të Mbrojtura, policia kufitare, shërbimi pyjor e vullnetarë, mbështetur edhe prej forcave të ushtrisë nga reparti i Drenovës, janë afër perimetrit të prekur, për të punuar për parandalimin e depërtimit të mëtejshëm në masivin pyjor të zonës së mbrojtur.
Nga parashikimi i motit, duket se mund të kete reshje shiu në zonë rreth mesditës, duke shpresuar se do na ndihmojë për neutralizimin e vatrave.