Gazetaria shqiptare ka humbur një nga personalitetet e saj më të shquara Artur Zheji, i cili ndërroi jetë sot papritmas në moshën 63-vjeçare.
Gazetari, analisti dhe ish-drejtori i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar njihej si një nga penat më të spikatura të gazetarisë shqiptare, i specializuar në analizë dhe opinion.
Me një veprimtari të pasur, ai shërbeu në funksione drejtuese në disa media, duke kulmuar me postin e drejtorit të Përgjithshëm të Radio Televizionit Shqiptar, raporton KosovaPress.
Përmes shkrimeve të tij si editorialist, analizave politike dhe drejtimit të programeve televizive, ai la një gjurmë të pashlyeshme në fushën e medias, duke u bërë një zë i rëndësishëm për debatin publik në vend.
Artur Zheji ishte i njohur jo vetëm për kontributin e tij në media, por edhe për trashëgiminë e pasur kulturore.
Si djalë i eruditit Petro Zheji dhe aktores Besa Imami, ai vetë la gjurmë si dramaturg, një anë e talentit të tij të vlerësuar nga Teatri Kombëtar, i cili shprehu dhimbjen për humbjen e tij.
“Në krijimtarinë e tij, fjala u bë reflektim i kohës dhe i shoqërisë, duke pasuruar jo vetëm median dhe debatin publik, por edhe skenën tonë kombëtare”, thuhet në mesazhin e Teatrit Kombëtar.
Zheji la pas dy vajza dhe një djalë, së bashku me bashkëshorten e tij. Humbja e tij e papritur ka tronditur jo vetëm familjen, por edhe kolegët dhe opinionin publik, të cilët e shihnin si një figurë me integritet dhe profesionalizëm të lartë. Vdekja e tij është një humbje e madhe për gazetarinë, analizën politike dhe median shqiptare në përgjithësi.
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë e përshkruan Zhejin si një personalitet të respektuar, që la “gjurmë të pashlyeshme me analizat, shkrimet dhe kontributin e tij në zhvillimin e mendimit kritik”.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë thekson se Zheji do të mbahet mend për “stilin e vet oratorik, pasurinë shprehëse, forcën verbale të polemikës, dhe sidomos për integritetin e ndjeshmërinë e lartë në mbrojtjen dhe shprehjen krenare të identitetit të vet kombëtar.”
Njoftimi për vdekjen e tij u prit me dhimbje nga skena politike, mediatike dhe kulturore në vend.
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit theksoi se Zheji la gjurmë të pashlyeshme jo vetëm si gazetar, por edhe si regjisor dhe autor i veprave artistike. Në një mesazh ngushëllimi, ministria thekson se “trashëgimia e tij mbetet pjesë e historisë së gazetarisë dhe kulturës shqiptare.”
Ministri i Shtetit për Diasporën, Taulant Balla, shprehu trishtimin për ndarjen e parakohshme nga jeta të gazetarit.
“Shumë, shumë i trishtuar lajmi për ndarjen e parakohshme të gazetarit, Artur Zheji. U prehsh në paqe mik!”, shkroi Balla në rrjetet sociale.
Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, e cilësoi Zhejin si një “gazetar korrekt, qytetar njerëzor, miqësor dhe tolerant,” që do të kujtohet si një model.
Nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, e konsideroi vdekjen e Zhejit një humbje të rëndë për mendimin kritik dhe shoqërinë shqiptare, si një intelektual i spikatur dhe zë i guximshëm që mbajti gjallë debatin publik me stil unik, qartësi, mendim të lirë dhe reflektim të thellë.
Artur Zheji vdiq papritmas në Sarandë, ndërsa ai ishte duke drekuar me familjen. Rreth orës 16:10, ambulanca e Spitalit Rajonal të Sarandës është njoftuar nga familjarët për një problem shëndetësor që kishte shfaqur gazetari. Dyshohet se shkaku i vdekjes ka qenë një arrest kardiak. Ai ndërroi jetë gjatë transportit me ambulancë drejt spitalit.