Një aksident rrugor është regjistruar mëngjesin e kësaj të marte në qytetin e Elbasanit, ku dy automjete janë përplasur “kokë më kokë” teksa qarkullonin në segmentin e Unazës Jugore.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 06:00, në zonën e njohur si “Lagja e Kinezëve”.
Si pasojë e përplasjes, të dy mjetet kanë pësuar dëmtime të konsiderueshme, ndërsa njëri prej drejtuesve ka mbetur i plagosur. Ai është transportuar menjëherë në Spitalin Rajonal të Elbasanit, ku po i nënshtrohet trajtimeve dhe kontrolleve mjekësore.
Burime nga spitali bëjnë me dije se gjendja e të plagosurit është e qëndrueshme, dhe fatmirësisht dëmtimet nuk paraqesin rrezik për jetën.
Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe po punon për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.