Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, gjatë samitit dyditor “Inteligjenca artificiale në shëndetësi”, organizuar në Londër nga The Economist, tha se shëndetësia globale po hyn në një fazë të re, ku teknologjitë e avancuara do të lejojnë kalimin nga diagnostika tradicionale në një nivel të ri, të ashtuquajtur “super-diagnostikë”.
Duke sjellë eksperiencën e saj akademike në fushën e imazherisë onkologjike në nivel ndërkombëtar, ministrja Sala nënvizoi se inteligjenca artificiale do të udhëheqë revolucionin në shëndetësi, ndërsa paraqiti vizionin e qeverisë shqiptare për digjitalizimin e plotë në këtë sektor, si pararendës të përdorimit të inteligjencës artificiale në diagnostikimin e përparuar.
“Spitali i së ardhmes do të ketë një infrastrukturë të padukshme teknologjike, qendër të unifikuar të të dhënave të pacientit, zero barrë administrative për profesionistët dhe një kulturë bashkëpunimi njeri – IA, ku është në qendër kujdesi ndaj pacientit”, u shpreh ajo.
Në panelin dedikuar integrimit të inteligjencës artificiale në praktikën klinike, krah emrave të njohur ndërkombëtarë, ministrja Sala ndau shembuj konkretë të përdorimit të IA për të ulur lodhjen e klinicistëve dhe ngarkesën administrative në radiologji, përfshirë automatizimin e detyrave të përsëritura, optimizimin e planifikimeve, gjenerimin automatik të raporteve dhe përpunimin e gjuhës natyrore për dokumentacionin mjekësor.
Në samit morën pjesë 300 përfaqësues dhe 60 folës nga e gjithë bota, ku u paraqitën njohuri ekskluzive dhe studime rastesh nga politikëbërës, përfaqësues të teknologjisë mjekësore, akademikë dhe organizata që punojnë për të arritur potencialin maksimal të IA-së në shëndetësi.