Tentonin të kalonin kufirin me Greqinë ilegalisht dhe po ktheheshin në territorin shqiptar, kapen në Kapshticë 4 persona, njëri prej të cilëve i shpallur në kërkim dhe i dënuar me 16 muaj burgim për dhunë në familje nga Gjykata e Elbasanit, që po kthehej nga vendi fqinj.
Burime zyrtare konfirmuan sot (3 tetor) se pas kontrolleve intensive në kufi u bë arrestimi i të kërkuarit dhe procedimi në gjendje të lirë për 3 të tjerët.
“U kap në hyrje të Shqipërisë dhe u vu në pranga A. Sh., 54 vjeç, banues në fshatin Shalës, Cërrik, i cili ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Elbasanit e ka dënuar me 1 vit e 4 muaj burgim, për veprën penale “dhuna në familje”. Veprimet e tjera procedurale për këtë shtetas do të kryen nga Policia e Elbasanit”, bëri me dije policia.
Gjithashtu u referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, për F. T., 57 vjeç, banues në Korçë, B. Q., 47 vjeç, banues në fshatin Melçan dhe V. I., 28 vjeç, banues në Korçë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.