Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) është mbledhur këtë të hënë, më 6 tetor 2025, për të mbajtur një qëndrim publik pas vrasjessë gjyqtarit Astrit Kalaja, në sallën e gjyqit dhe gjatë ushtrimit të detyrës së tij në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.
Në deklaratën e miratuar, KLGJ e dënon me forcë këtë akt kriminal të pashembullt, duke e cilësuar atë si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj institucioneve të drejtësisë, shtetit të së drejtës dhe besimit të publikut te gjykatat.
“Ky akt i rëndë cënon themelet e shtetit të së drejtës, sigurinë e institucioneve të drejtësisë dhe besimin e publikut te gjykatat,” thuhet në qëndrimin zyrtar.
Këshilli nënvizon se integriteti fizik dhe siguria e gjyqtarëve janë thelbësore për funksionimin e drejtësisë dhe për garantimin e të drejtave të qytetarëve.
Gjithashtu, dënohet gjuha e urrejtjes dhe denigrimi i figurës së magjistratit, që sipas KLGJ-së, kontribuojnë në krijimin e një klime të rrezikshme ndaj sistemit gjyqësor.
“Çdo akt që cenon integritetin e gjykatave, dëmton gjithçka që ndërtojmë me punë dhe përkushtim,” theksohet në deklaratë.
Këshilli shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe kolegët e gjyqtarit Kalaja, duke falënderuar të gjitha institucionet dhe qytetarët që kanë treguar solidaritet dhe respekt për gjyqësorin në këtë moment të vështirë.