Astrit Kalaja u ekzekutua në sallën e gjyqit, ish-prokurori: Akt i paralajmëruar!

Shqipëria

Astrit Kalaja u ekzekutua në sallën e gjyqit, ish-prokurori: Akt i paralajmëruar!

Më: 6 tetor 2025 Në ora: 22:45
Astrit Kalaja

Ish-prokurori Florian Bonjaku, ka reaguar pas vrasjes tragjike të gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit në Gjykatën e Apelit nga Elvis Shkambi, i cili  nuk pranoi vendimin e marrë nga magjistrati lidhur me një konflikt për çështje pronësie që autori dhe familjarë të tij ishin të përfshirë.

Reagimi i Florian Bonjakut

I dashur koleg, sot zemra e gjyqësorit u ndal bashkë me tënden. Sot, në vendin ku duhej të ishe më i mbrojtur, në zyrën e gjykimit, u rrëzove i vrarë. Dhe bashkë me ty u rrëzua autoriteti i një institucioni të tërë. Çdo plumb që të mori jetën, goditi secilin prej nesh, çdo gjyqtar, çdo prokuror, çdo qytetar që ende beson se drejtësia është mbrojtja e fundit e njeriut përballë shtetit.

Kjo nuk ishte thjesht një vrasje. Ky ishte një akt i paralajmëruar prej kohësh, i përgatitur nga një fushatë e gjatë shpifjesh dhe poshtërimesh. Ishte rezultati i një reforme të kthyer në flamur politik, që nuk ndërtoi, por rrënoi. Në emër të saj, gjyqtari u zhvesh nga dinjiteti, u nxor para publikut si simbol i së keqes, u bë i pambrojtur, i frikësuar, i ekspozuar ndaj çdo dore që do të guxonte të ngrejë armën mbi të.

I dashur koleg, ti u vrave dy herë: një herë nga plumbi i atentatorit, e një herë më parë nga gjuha e politikës. Nga sharjet e kryeministrit ndaj gjyqësorit, nga baltosja e pafundme e magjistratit, nga propaganda që mbolli urrejtje dhe që shkatërroi respektin. E sot, kur trupi yt bie i pajetë, ne kuptojmë se ky sulm nuk ishte metaforik. Ai përgatiti terrenin për këtë tragjedi.

Por edhe ne nuk jemi pa faj. Heshtja jonë, frika jonë, mospërballja me këtë rrjedhë e bëri gjyqtarin të dukej i vetëm, i braktisur. Dhe kështu, sot, të gjithë ne jemi pak autorë të kësaj vrasjeje. Autorë me heshtje, autorë me dorëheqje morale, autorë me mosveprim.

Sot, koleg, ti na lë një trashëgimi të dhimbshme: na kujton se gjyqtari nuk është vetëm një emër në vendim, por është njeriu që mban mbi supe peshën e një sistemi të tërë. Nëse ai bie, bie i gjithë sistemi. Nëse ai bëhet shënjestër, të gjithë bëhemi shënjestra. Nëse ai humbet autoritetin, humb shoqëria.

Dhe ndaj, sot, kur gjyqësori është veshur me zi, duhet ta themi me zë të lartë: kjo nuk është thjesht krim. Ky është alarmi i fundit. Nëse sot nuk ndalet gjuha e urrejtjes, nëse sot nuk ndalet poshtërimi i gjyqtarit, nesër nuk do të kemi më drejtësi. Do të kemi vetëm frikë. Dhe një shoqëri që jeton me frikë nuk është më shoqëri, është turmë e pambrojtur.

I dashur koleg, ti sot u flijove. Por le të mos lejojmë që sakrifica jote të humbasë. Le të jetë kjo dita kur gjyqësori ringrihet, jo për hakmarrje, por për dinjitet. Jo për heshtje, por për zë. Jo për t’u fshehur, por për t’u përballur.

Sepse ndryshe, nesër, do të na vrasin të gjithëve – pak nga pak – duke na bërë të padukshëm, të pavlerë, të pambrojtur. Dhe ky do të jetë fundi i drejtësisë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat