Marrëveshja që afron Poloninë me Shqipërinë: Të rinjtë polakë do të mësojnë për traditat shqiptare

Shqipëria

Marrëveshja që afron Poloninë me Shqipërinë: Të rinjtë polakë do të mësojnë për traditat shqiptare

Më: 9 tetor 2025 Në ora: 20:05
Gjate nenshkrimit te marreveshjes

Tashmë të rinjtë polakë do të kenë mundësinë të njihen më nga afër me historinë, kulturën dhe traditat shqiptare. Kjo falë një nisme të Konsullit të Nderit të Shqipërisë në Poloni, Dr. Paweł (Pavëll) Michalak, një polak me origjinë, por i dashuruar pas Shqipërisë. Dashurinë e tij për vendin tonë ai e shpreh edhe në mënyra simbolike – madje edhe targat e makinës së tij në Poloni mbajnë shkrimin “Avash”, një fjalë që përfaqëson shpirtin e qetë dhe miqësor të shqiptarëve.

Në Konsullatën e Republikës së Shqipërisë në Łódź u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi mes Konsullit të Nderit, Dr. Michalak, dhe drejtoreshës së Shkollës Fillore “Józef Lompa” Nr. 14, znj. Barbara Bulesowska. Ky partneritet synon të krijojë ura bashkëpunimi mes të rinjve shqiptarë dhe polakë përmes shkëmbimeve kulturore, edukative dhe aktiviteteve të përbashkëta.

“Kufijtë sot nuk ekzistojnë më në rrjetet sociale, por kontaktet e vërteta lindin vetëm nga takimet njerëzore. Prandaj duam që të rinjtë tanë të njohin njëri-tjetrin, të mësojnë për kulturën dhe historinë e vendeve tona dhe, pse jo, të vizitojnë Shqipërinë,” u shpreh Michalak gjatë ceremonisë së nënshkrimit.

Sipas marrëveshjes, Konsullata e Shqipërisë në Łódź do të mbështesë shkollën në organizimin e ngjarjeve arsimore dhe kulturore që lidhen me Shqipërinë, do të ofrojë patronazh nderi për aktivitete të zgjedhura dhe do të ndihmojë në ndërtimin e kontakteve me institucione shqiptare në Poloni dhe jashtë saj.

“Ky është një moment i veçantë për nxënësit tanë. Jemi të lumtur për këtë partneritet dhe besojmë se do të sjellë shumë mundësi të reja për njohje dhe bashkëpunim,” tha drejtoresha Barbara Bulesowska.

Në ceremoninë e nënshkrimit mori pjesë edhe Dr. Gert Dragoshi, lektor në Universitetin Łukaszewski në Varshavë, i cili prej më shumë se 25 vitesh jeton në Poloni. “Iniciativa të tilla tregojnë se marrëdhëniet shqiptaro-polake po forcohen dhe se miqësia midis dy popujve tanë po ndërtohet që në moshë të re,” theksoi ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat