Operacioni “Muzeu i errët” godet grupin që trafikonte vepra arti nga Evropa

Shqipëria

Operacioni “Muzeu i errët” godet grupin që trafikonte vepra arti nga Evropa

Më: 31 tetor 2025 Në ora: 17:33
Operacioni “Muzeu i errët” në Kamzë

Policia e Shtetit ka arrestuar dy shtetas si pjesë e operacionit të koduar “Muzeu i errët” dhe ka sekuestruar qindra objekte me vlera historike dhe kulturore që mbaheshin me qëllim shitjen.

Veprat e sekuestruara janë piktura, skulptura, ikona, punime druri, dokumente të rralla dhe albume me pulla poste, raporton KosovaPress.

Së bashku me veprat, policia ka kapur edhe dy automjete që dyshohet se janë përdorur për transportimin e veprave, si dhe dy mobilë.

Personat e arrestuar janë shtetasit A. H. (20) dhe I. Gj. (30), ndërsa u shpall në kërkim shtetasi J. H., 42-vjeç, të tre banues në Kamzë.

Nga hetimet dyshohet se tre shtetasit, të organizuar si grup, trafikonin në Shqipëri, objekte me vlera historike dhe kulturore, të vjedhura në shtete të ndryshme të Evropës. Objektet, të cilat siguroheshin kryesisht nga shtetasi i I. Gj., trafikoheshin me qëllim shitjen në Shqipëri, në kundërshtim me ligjin.

Punohet për kapjen e shtetasit J. H., si dhe vijojnë hetime për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat