Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin e koduar policor “Bashkëpunimi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Me këtë rast në një autolarje në rrugën “Konferenca e Pezës” janë arrestuar shtetasit D. Ç. (30), A. Ç. (38) dhe M. Z. (30), raporton KosovaPress.
Vëllezërit D.Ç. dhe A.Ç. kishin marrë me qira autolarjen për të kamufluar aktivitetin e paligjshëm të shpërndarjes së lëndëve narkotike kanabis dhe kokainë. Ndërsa M.Z. dyshohet se kishte dijeni për veprimtarinë kriminale që ushtronin dy vëllezërit dhe nuk e kallëzoi atë.
Në cilësinë e provave janë kapur narkotikë të llojit kanabis, kokainë, një armë sportive, një pajisje për bllokimin e valëve, dy automjete dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Gjatë kontrollit në ambientet e autolarjes dhe në dy automjete, shërbimet e policisë gjetën lëndë narkotike e dyshuar kanabis, një sasi kokaine, një armë sportive, një pajisje për bllokimin e valëve, tri aparate celular, një peshore elektronike, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.