Detajet/ Tritoli në auto-sallonin e makinave me qira në Kuçovë, dyshohet për shpërthim me telekomandë

Shqipëria

Detajet/ Tritoli në auto-sallonin e makinave me qira në Kuçovë, dyshohet për shpërthim me telekomandë

Më: 4 nëntor 2025 Në ora: 12:51
Foto ilustrim

Një shpërthim me lëndë plasëse tritol ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në një auto-sallon makinash me qira në qytetin e Kuçovës.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:45, në lagjen “Postobllok”, Njësia Administrative Perondi. Sipas policisë, dyshohet se shpërthimi është kryer me telekomandë, ndërsa sasia e tritolit mendohet të ketë qenë 1 deri në 2 kallëpe. Fatmirësisht, nga shpërthimi nuk ka pasur të lënduar, por janë shkaktuar vetëm dëme materiale në dyer, dritare dhe xhama të objektit.

Biznesi është në pronësi të shtetasit Gëzim Skënderaj, i cili, sipas burimeve policore, nuk figuron me precedentë penalë. Një nga vëllezërit e tij, Bledi Skënderaj, punon si polic bashkiak në Bashkinë e Kuçovës, por policia përjashton mundësinë që ngjarja të ketë lidhje me detyrën e tij.

Nga kamerat e sigurisë pranë biznesit, policia ka konstatuar se një person me kapuç është futur brenda ambientit duke vendosur lëndën plasëse në tokë, e më pas është larguar. Disa minuta më vonë është regjistruar shpërthimi, i cili sipas hetimeve paraprake është aktivizuar me telekomandë.

Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie nga Drejtoria Vendore e Policisë Berat dhe Njësia Anti-Tritol e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Hetimet po zhvillohen në disa pista, të cilat nuk bëhen ende publike për shkak të vijimit të hetimeve, me qëllim identifikimin dhe arrestimin e autorëve.

Sipas të dhënave, Gëzim Skënderaj ka katër vëllezër. Ai dhe Tani Skënderaj kanë jetuar për shumë vite në Itali, ndërsa kohët e fundit janë kthyer në Kuçovë, ku kanë investuar në biznese dhe banesa. Bledi Skënderaj është polic bashkiak, ndërsa Zamir Skënderaj ka qenë i dënuar në Gjermani dhe aktualisht vuan dënimin në Shqipëri për trafikim të lëndëve narkotike. Një tjetër vëlla, Avdyl Skënderaj, është vrarë në vitin 1997.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat