BE kërkon vijimin e dialogut politik

Shqipëria

BE kërkon vijimin e dialogut politik

Më: 7 nëntor 2025 Në ora: 12:48
Foto ilustrim

Raporteri për Shqipërinë në Parlamentin Evropian Andreas Schieder ka kërkuar nga klasa politike shqiptare të heqë dorë nga akuzat dhe thashethemet e ndërsjellta e të pabaza për hir të integrimit evropian.

“Është mirë që disa ligje në parlament janë miratuar edhe nga opozita në bashkëpunim me qeverinë. Mendoj se kjo është ajo që Evropa dëshiron të shohë, konsensusin politik. Të gjithë duhet të jenë në linjë me përmbushjen e reformave të integrimit pavarësisht nëse janë socialistë, apo demokratë, apo nga parti të tjera, që vendi të anëtarësohet sa më shpejt në Bashkimin Evropian duke punuar së bashku për këtë objektiv. Evropa nuk është e interesuar për thashetheme por ne jemi të interesuar për diskutime konstruktive qeveri-opozitë”, tha Andreas Schieder, Raporteri për Shqipërinë në Parlamentin Evropian.

Schieder vlerëson thellimin nga SPAK të luftës ndaj korrupsionit duke dëshmuar se askush nuk është i paprekshëm.

“Shqipëria duhet që të ndërmarrë reforma të mëdha, ekonomike, sociale, por duhet që të ketë një mënyrë të modernizuar për të vepruar, kjo do të thotë edhe të luftojë korrupsionin. Për këtë po veprojnë edhe institucionet si SPAK-u. Po ashtu nëpërmjet procesit të vetingut po pastrohet sistemi i drejtësisë, që sigurisht është një proces i vështirë. SPAK është një institucion i rëndësishëm sepse po u dërgon sinjal të gjithëve në Shqipëri, por edhe në Evropë, se korrupsioni nuk do të pranohet më, korrupsioni do të luftohet, korrupsioni do të zhduket, dhe njerëzit që kryejnë korrupsion duhet të presin gjithashtu të dalin para gjykatës. Jemi në dijeni se ka po ashtu edhe disa kritika, që gjykatat duhet që të veprojnë edhe më shpejt. E kuptojmë që ka edhe mungesë në stafe, ka nevojë për më shumë njerëz që punojnë aty, por mendoj është e rëndësishme që procesi nga hetimi deri tek vendimi përfundimtar i gjykatës të jetë, le të themi, më gjithëpërfshirës”.

Sipas Schieder Shqipëria ka shansin e duhur për t’u bërë anëtare e BE-së në vitin 2030.

“Shqipëria ka shansin e duhur për t’u bërë anëtare e BE-së në vitin 2030. Unë mendoj se Shqipëria po ndërmerr gjithçka për ta mbajtur gjallë këtë shans, sepse është një shtet në pararojë të procesit të zgjerimit. Qeveria shqiptare po i kryen shumë shpejt negociatat, po hap shumë kapituj, po fillon të mbyllë shumë kapituj, po zbaton reformat edhe në parlament, pra po miraton ligjet. Jemi të vetëdijshëm se sipas planit që kanë duan që ta përfundojnë këtë proces deri në vitin 2027”.

 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat