Deputeti i PD: Nuk keni fuqi ta hiqni Ilir Prodën sepse përfaqëson çetat e atyre që ju sollën në pushtet!

Shqipëria

Deputeti i PD: Nuk keni fuqi ta hiqni Ilir Prodën sepse përfaqëson çetat e atyre që ju sollën në pushtet!

Më: 4 dhjetor 2025 Në ora: 14:59
Deputeti demokrat Klevis Balliu

Deputeti demokrat Klevis Balliu tha sot në Kuvend se siguria në Shqipëri ka rënë, kurse drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit as nuk dorëhiqet dhe as shkarkohet, edhe pse brenda një muaj kanë ndodhur tre atentate.

Ligjvënësi vuri në dukje se mazhoranca nuk ka fuqi që ta shkarkojë kryepolicin sepse ai është ndërmjetës i krimit të organizuar. Për analogji solli rastin e ish-kryepolicit Gledis Nano që u hoq për shkak të situatës së rënduar të rendit në vend.

Baliu tha se në atentatin e Rinasit nuk gjendej asnjë polic për një orë e gjysmë, kurse një delegacion u shkëmbye me atentatorët rrugës.

“Ka këtu edhe nga ata që kanë qenë ministra të Brendshëm dhe flasin për sigurinë në vend. Në një muaj kanë ndodhur tre atentate, mes tyre edhe ai në aeroportin e Rinasit. Ndodhi atentat para aeroportit të Rinasit, në vendin më të sigurt, që ruhet me Polici, Ushtri, Garda, Shërbim Informativ. Për një orë e gjysmë nuk pati asnjë polic, në rreze 10 kilometra, atentatorët ikën, madje dogjën dhe makinën. Atë ditë kishte edhe më shumë masa sigurie, sepse atë ditë po kalonte edhe një delegacion i huaj, që u shkëmbye me atentatorët atje. Të gjithë këta policë që i gjejmë në operacione të bujshme me monopatina, nuk i gjejmë në Rinas”, tha Balliu mes të tjerash nga foltorja e parlamentit.

Në fund ai nënvizoi se pavarësisht situatës së rënduar të krimit në vend dhe lidhjeve të tij me pushtetin, kryepolici Proda nuk shkarkohet siç u veprua me paraardhësin e tij Nano.

“Këtë Ilir Prodën pse s’e largoni ju, që i ndodhën tre atentate. Ju s’keni fuqi ta shkarkoni Ilir Prodën. Nuk e hiqni dot se Ilir Proda përfaqëson çetën, përfaqëson ata që ju kanë sjellë juve në pushtet. Gledis Nanon e hoqët po për atentatet, po Prodën pse nuk e hiqni? Kjo është e vërteta. Nuk e keni mohuar kurrë Ergys Agasin, që është ndërmjetës apo koordinator i krimit të organizuar, e ka thënë një ish-ministri i juaj, Arben Ahmetaj, e ka deklaruar publikisht”, u shpreh deputeti i PD-së.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat