Trafikimi i lëndëve narkotike drejt Gjermanisë, ekzekutohet masa arrest në burg për 10 persona

Shqipëria

Trafikimi i lëndëve narkotike drejt Gjermanisë, ekzekutohet masa arrest në burg për 10 persona

Më: 10 dhjetor 2025 Në ora: 16:52
Foto ilustrim

Policia e Shtetit ka arrestuar dhjetë persona të një grupi kriminal për trafikim të lëndëve narkotike kryesisht në Gjermani si pjesë e operacionit të koduar policor “Rikthimi”, raporton KosovaPress.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krim të Organizuar ka ekzekutuar masën e sigurie arrest në burg për shtetasit R. Rr., (31), banues në Zezë, Fushë Krujë; P. Rr. (50), banues në Nikël, Fushë Krujë; G. Rr. (35), banues në Nikël, Fushë Krujë; A. N. alias L. S. (51), banues në Durrës; Z. A. alias Z. Ç. (47), banues në Paskuqan; S. Q. (41), banues në Tiranë; M. B. alias M. K., (43), banues në Tiranë; A. Gj. alias A. I. (35), banues në Tiranë; J. Ç. (50), banues në Tiranë, I. S. alias I. X. (40), banues në Tiranë.

Në kuadër të operacionit dhe në zbatim të vendimit të GjKKO-së, u kryen 12 kontrolle në banesa dhe ambiente të tjera në pronësi të 10 shtetasve, ku u sekuestruan një armë zjarri me municion, shtatë telefona mobilë, katër automjete, një jelek antiplumb, një palë dylbi, 415 mijë euro, 7 mijë funte dhe një milion lekë. Gjithashtu, u bllokuan dy armë gjahu që mbaheshin me leje.

Nga veprimet hetimore të kryera deri tani, dyshohet se këta shtetas, duke bashkëpunuar ndërmjet tyre dhe me të tjerë, të organizuar si grup i strukturuar kriminal, kanë trafikuar lëndë narkotike kokainë dhe kanabis sativa, në shtete të BE-së, kryesisht në Gjermani.

Paratë e përfituara nga kjo veprimtari, dyshohet se janë investuar për blerjen e pasurive të paluajtshme. Materialet procedurale iu referuan SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat