Analisti Lorenc Vangjeli mendon se SPAK ka bërë një kapërcim të pamendueshëm më parë, duke arritur në goditjen e zyrtarëve deri në nivele të larta, ashtu sikurse edhe të krimit të organizuar.
Ai shtoi se ditët e sotme nuk ka më të paprekshëm, aq sa po të ketë prova, SPAK mund të shkojë edhe te kryeministri. Por sipas Vangjelit, drejtësia ka edhe problematika, pasi Kushtetuesja sot është edhe më e cenueshme se çfarë ishte kur gjykoi çështjen e ndarjes së detit me Greqinë.
Për të drejtësia në përgjithësi ishte më e fortë në mandatin e qeverisë “Berisha 2”.
“Jam dakord me Lubonjën për cilësinë e drejtësisë. Ne gjithë kohën diskutojmë SPAK, i cili ka tagër të reduktuar personash që heton. Nëse flasim për drejtësinë, për 99,99% e shqiptarëve problematikat janë të pranishme. Në mandatin e dytë të zotit Berisha ishte më e fortë, më profesionale. Një prej tyre ishte çështja e detit me Greqinë, kurse sot Kushtetuesen e kemi më të cenueshme, nëse doni t’i krahasojmë Gjykatat dje më sot. Presioni është i jashtëzakonshëm tek këto gjykata, shkojnë me 7, 10 apo 19 vjet kohëzgjatje çështjet. Edhe Prokurori i Përgjithshëm e tha në Parlament se ka shkelje të të drejtave të njeriut, zvarritje dhe problematika të tjera. Realiteti ka shumë më tepër ngjyra se bardhë e zi”, tha analisti për “News 24”.
Por a ka pasur sukses Prokuroria e Posaçme deri tani dhe cili është perceptimi. Vangjeli komentoi se drejtësia ka bërë diçka të pamendueshme më parë, duke na treguar se sot nuk ka më persona të paprekshëm, kushdoqoftë.
“SPAK bëri një kapërcim që ishte i pamendueshëm më parë, por i pamjaftueshëm. Sot nuk ka më të paprekshëm dhe ndëshkimi është i dukshëm. Nëse ka prova dhe fakte SPAK mund të shkoj edhe te Rama”, tha ai.
Vangjeli nuk i beson konspiracioneve se kryeministri kontrollon apo përdor SPAK për të goditur kundërshtarët e tij brenda apo jashtë partisë.
“Nuk u besoj shumë historive që Rama përdori SPAK për të hequr Veliajn apo Ballukun. Sepse kishte mënyra të ndryshme kryeministir nëse nuk do e donte kryebashkiakun Veliaj për ta hequr. Mjafton t’i drejtohej që të linte çelësat dhe të ikte”, u shpreh ai për “Kjo Javë”.