Rinas, goditet një tjetër rast i tentativës për kalim të paligjshëm të kufirit

Shqipëria

Rinas, goditet një tjetër rast i tentativës për kalim të paligjshëm të kufirit

Më: 18 dhjetor 2025 Në ora: 14:56
Foto ilustrim

Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, gjatë kontrolleve të detajuara në këtë pikë kalimi kufitar, evidentuan dhe goditën një rast të tentativës për kalim të paligjshëm, me dokumente false, raporton KosovaPress.

Në përfundim të veprimeve hetimore u arrestuan në flagrancë shtetasit B. K. (23), C. S. (23) dhe A. S. (43), të tre me kombësi turke, për veprat penale falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave, falsifikimi i dokumenteve, të kryera në bashkëpunim, si dhe ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit.

Gjatë kontrollit të dokumentacionit, në dalje, shtetasi B. K., i cili do të udhëtonte në itinerarin “Tiranë-Barcelonë”, ka paraqitur pasaportë turke dhe një leje qëndrimi polake, për të cilën shërbimet e Policisë Kufitare dyshuan se ishte e falsifikuar dhe, për këtë arsye, e kaluan në vijë të dytë, për kontroll më të detajuar. Nga ekzaminimi në laborator, dokumenti leja e qëndrimit polake rezultoi i falsifikuar.

Si rezultat i veprimeve të kryera nga Policia e Rinasit, për verifikimin e plotë të këtij rasti, u identifikuan edhe dy shtetasit e tjerë turq, të cilët kishin ardhur së bashku dhe e kishin mbajtur në vëzhgim shtetasin B. K. Gjatë kontrollit fizik dhe të bagazheve, shërbimet e Policisë Kufitare i gjetën shtetasit C. S., një leje qëndrimi çeke, e cila pas ekzaminimit në laborator rezultoi e falsifikuar.

Ndërsa A. S. ishte me leje qëndrimi franceze të rregullt, por në vijim të veprimeve të tjera hetimore, gjatë këqyrjes së telefonit mobil iu gjetën foto të dokumenteve të ndryshme të falsifikuara të disa shtetasve.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat