Në vijim të punës për goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, bazuar në informacionet e siguruara se një shtetase qarkullonte e armatosur, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Kryqëzimi”.
Si rezultat i operacionit, në afërsi të kryqëzimit të Kthellës, drejt hyrjes për qytetin e Rrëshenit, shërbimet e policisë ndaluan automjetin e tipit “Golf” me drejtues shtetasen J.B. (35).
Gjatë kontrollit të automjetit, shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale një pistoletë me krehër dhe municion luftarak, raporton KosovaPress.
Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestua shtetasja J. B., banuese në Rrëshen, për mbajtje pa leje të armës dhe municionit.
Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme.