Më 31 gusht 1993, ish-presidenti i SHBA-së, Jimmy Carter, mbërriti në Tiranë, i ftuar personalisht nga Presidenti i asaj kohe Dr.Sali Berisha. Kjo vizitë dy-ditore shënoi herën e parë që një ish-president amerikan vizitonte Shqipërinë, në një periudhë, kur vendi po dilte nga izolimi i gjatë komunist dhe po përpiqej të konsolidonte demokracinë e re pas zgjedhjeve të 1992-ës.
Qëllimi kryesor i asaj vizte u tha se lidhej me shqetësimet rajonale: konfliktin e përshkallëzuar në Bosnje-Hercegovinë dhe tensionet në Kosovë, ku popullsia shqiptare po përballet me shtypje nga regjimi serb. Sipas agjencisë amerikane të lajmeve United Press International (UPI), Carter zhvilloi diskutime intensive me Presidentin Berisha dhe politikanë të tjerë kryesorë shqiptarë për këto çështje.
Në fund të vizitës, më 2 shtator, u mbajt një konferencë e përbashkët shtypi në Hotel Tirana. Carter theksoi rëndësinë e demonstrimit të forcës nga komuniteti ndërkombëtar për të kufizuar dhunën në Bosnje, duke thënë: “Është shumë e rëndësishme për komunitetin botëror të demonstronte forcë dhe të përdorte çdo mjet të mundshëm për të kufizuar dhunën në Bosnje.”
Megjithatë, ai përsëriti qëndrimin zyrtar të Uashingtonit se SHBA nuk do të pajtohej me asnjë agresion kundër popullit të Kosovës, por nuk mbështeti propozimin e Berishës për dërgimin e trupave amerikane atje.
“Unë nuk mendoj se është e përshtatshme në këtë pikë të dërgohen trupa në Kosovë, pasi kjo nuk do të ishte mirë për njerëzit që jetojnë atje,” u përgjigj Carter gazetarëve amerikanë që e shoqëronin.
Berisha kishte dërguar letra Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Boutros Boutros-Ghali, dhe institucioneve evropiane, duke kërkuar vendosjen e Kosovës nën mbrojtjen e OKB-së ose NATO-s për të parandaluar përhapjen e konfliktit boshnjak në këtë provincë me shumicë shqiptare.
Si alternativë, Carter deklaroi se Fondacioni Carter, organizatë që monitoronte të drejtat e njeriut në botë, do të vëzhgonte situatën në Kosovë. Ai zbuloi se fondacioni i tij, së bashku me liderin e athershem të Kosovës Ibrahim Rugova, kishte analizuar problemet e Kosovës, që në fillim të vitit 1993, disa muaj para vizitës në Shqipëri.
Gjatë qëndrimit, në Shqipëri, Carter u takua edhe me Kryeministrin Aleksandër Meksi dhe deklaroi se kishte biseduar me disa figura të opozitës. Por, një ditë pas largimit të tij, Servet Pëllumbi, nënkryetar i Partisë Socialiste (me 38 deputetë nga 140 në parlament), e mohoi për UPI-në se socialistët ishin takuar me Carterin.
I pyetur për të drejtat e njeriut në Shqipëri, Carter tha se nuk kishte gjetur prova për abuzime ndaj opozitës, por kritikoi monopolin e Radio Televizionit Shqiptar (RTSH), i cili ishte i vetmi medium elektronik në vendin ish-komunist.
Pas vizitës, ndodhi një incident simbolik: një gazetë studentore u mbyll, pasi botuesit e saj i kishin dërguar një letër Carterit, që u përgjigj me një shënim dorëshkruar.
Në atë kohë, sipas UPI-së, Shqipëria ishte vendi më i varfër i Evropës, me të ardhura mesatare për 3.5 milionë banorët e saj të krahasueshme me ato të Sudanit.
Vizita e Carterit shënoi një sinjal të rëndësishëm mbështetjeje perëndimore për Shqipërinë e re, duke theksuar rolin e të drejtave të njeriut dhe stabilitetit rajonal në Ballkan.