Aksi rrugor Ura e Shtrejtë – Prekal është bllokuar plotësisht për qarkullim, pas një shembjeje të konsiderueshme të trupit të rrugës, e cila dyshohet se është shkaktuar nga rrëshqitja e dherave si pasojë e motit të përkeqësuar dhe reshjeve intensive të 48 orëve të fundit.
Shembja është konstatuar në vendin e quajtur “Shkallë Logje”, një segment problematik i këtij aksi, ku masa të mëdha dheu kanë rrëshqitur drejt rrugës, duke e bërë atë të pakalueshme dhe potencialisht të rrezikshme për çdo mjet apo këmbësor.
Menjëherë pas sinjalizimit, në terren kanë ndërhyrë ekipet e Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike të Bashkisë Shkodër dhe kanë bllokuar aksin, me qëllim shmangien e çdo rreziku për jetën dhe sigurinë e qytetarëve.
Sipas vlerësimeve paraprake, rrëshqitja e dherave lidhet me reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë zonën gjatë dy ditëve të fundit.
Si pasojë e këtij bllokimi, banorët e zonës së Prekalit dhe fshatrave përreth kanë aktualisht vetëm një rrugë alternative për lëvizje, përmes kalimit nga ana tjetër, në drejtim të Qafës së Thores.
Ndërkohë, nga ana e Malit të Shoshit, qarkullimi mbetet i pamundur, pasi rruga është e bllokuar në zonën e Prekalit dhe nuk ofron asnjë mundësi kalimi.