Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Ilir Alimehmeti theksoi se vendi ndodhet në emergjencë kombëtare, jo vetëm për përmbytjet që kanë prekur vendin ditët e fundit, por edhe në përgjithësi nga mënyra se si po qeveris Edi Rama.
Në takimin e thirrur nga kryedemokrati Sali Berisha, Alimehmeti theksoi nevojën e kauzave më të forta dhe të qëndrueshme teksa tha se rrëzimi i qeverisë “kalon përmes rrugës e bulevardit, por duhet të kalojë në mënyrë të fortë e të qëndrueshme dhe të përshkallëzuar”.
Ai theksoi se ndonëse mund të ketë qëndrime ndryshe brenda opozitës, të gjithë bëhen bashkë kundër shpopullimit, korrupsionit etj.
“Ne jemi në emergjencë kombëtare. Nuk po flas për katastrofën natyrore që na godasin çdo verë e dimër, ne po qeverisemi nga njerëz antikombëtarë, anti vlera e anti moral. Po na vjedhin jo vetëm fondet por çdo gjë që përfaqëson ky shtet. Ne e kemi bërë zgjedhjen, por edhe ata që na dëgjojnë. Duhet të vendosim do të marrim rolin e spektatorit apo aktorit. Këtu ka nevojë për veprim. Ne duhet të shkojmë drejt veprimit. Dëgjoj shpesh se kemi mendime ndryshe. A mund t’i vëmë në një platformë të përbashkët, po. Po pyetja e parë është se sa ndryshe janë këto mendime. Si qëndrojmë kundër shpopullimit, korrupsionit moral e financiar, narkotrafikut. Ne qëndrojmë për familjen, lirinë, pronën, kombin dhe orientim perëndimor të Shqipërisë. Qëndrojmë nga pragu i derës së qytetarëve, deri te i institucioneve ku duhet të çojmë revoltën e qytetarëve. Kalon përmes rrugës e bulevardit, por duhet të kalojë në mënyrë të fortë e të qëndrueshme dhe të përshkallëzuar. Nuk hidhet qeveria me fjalë, as nga sallat e konferencave por duke vepruar, folur me njerëzit e shkuar atje. Unë mendoj se është një frymë e përbashkët në këtë drejtim”, tha Alimehmeti.