Deputeti Gjin Gjoni: Vendimi i SHBA për vizat, alarm për qeverinë Rama

Shqipëria

Deputeti Gjin Gjoni: Vendimi i SHBA për vizat, alarm për qeverinë Rama

Më: 14 janar 2026 Në ora: 21:35
Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni

Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, ka reaguar lidhur me vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ndalimin e përkohshëm të vizave të imigracionit për qytetarët nga Shqipëria, duke e cilësuar këtë zhvillim si një pasojë të drejtpërdrejtë të dështimit të qeverisë Rama në luftën kundër krimit të organizuar.

Sipas Gjonit, gjatë gjashtë muajve të fundit Ambasada e SHBA-së në Tiranë, si dhe përfaqësues të lartë të administratës amerikane, përfshirë Sekretarin Rubio dhe Presidentin Trump, kanë bërë thirrje të përsëritura për goditjen e karteleve të drogës. Megjithatë, këto paralajmërime, sipas tij, janë shpërfillur nga kryeministri Edi Rama.

“Sot SHBA ka kaluar në një stad tjetër, duke pezulluar përkohësisht vizat e imigracionit për 75 vende, me synimin për të ndaluar hyrjen e individëve që paraqesin rrezik për sistemin e ndihmave publike. Për fat të keq, Shqipëria renditet në këtë listë, krah vendeve autokrate apo në konflikt të hapur,” u shpreh deputeti.

Gjoni thekson se ky vendim ndëshkon padrejtësisht mijëra qytetarë shqiptarë të ndershëm, të cilët nuk kanë asnjë lidhje me krimin e organizuar, por po paguajnë çmimin e një qeverisjeje që, sipas tij, ka lejuar lulëzimin e karteleve të drogës dhe pastrimin e parave përmes lejeve të ndërtimit në Tiranë dhe në zonat bregdetare.

Në përfundim, deputeti demokrat e cilëson situatën si alarmante, duke theksuar se largimi i Edi Ramës nga pushteti nuk është më vetëm një kërkesë politike, por një emergjencë kombëtare për të ardhmen e vendit dhe marrëdhëniet me partnerët strategjikë.

Deklarata

Kartelet që pastrojnë para  me firmën e Ramës, SHBA pezullon vizat për emigrantët nga Shqipëria!

Gjashtë muajt e fundit, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë ka apeluar për luftë kundër karteleve të drogës, teksa edhe në urimet e Sekretarit Rubio dhe Presidentit Trump janë përmendur kartelet e drogës.

Por këto paralajmërime kanë rënë në vesh të shurdhër të Edi Ramës, njeriut që ka lulëzuar kartelet e drogës në Shqipëri dhe që kërcënon SHBA-në me bizneset kineze dhe arabe.

Sot SHBA kaloi në një tjetër stad, pasi Departamenti Amerikan i Shtetit ka ndaluar përkohësisht vizat e imigracionit për 75 vende, me qëllim goditjen e aplikantëve që konsiderohen rrezik për t’u bërë barrë për ndihmat publike.

Për fat të keq, Shqipëria është në mesin e këtyre 75 vendeve, së bashku me vende autokrate dhe vende që janë në luftë, si Somalia, Rusia, Afganistani, Irani dhe Iraku.

Ky vendim është dramatik për mijëra qytetarë shqiptarë që nuk kanë asnjë lidhje me kartelet e drogës dhe po penalizohen vetëm sepse kryeministri i tyre firmos leje ndërtimi për kartele droge në Tiranë dhe në bregdet.

Koha nuk pret më: largimi i Edi Ramës nuk është më vetëm kërkesë e partnerëve, por një emergjencë kombëtare.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat