Rama reagon për herë të parë për vendimin e Trump: Amerika nuk hoqi vizat për shqiptarët

Shqipëria

Rama reagon për herë të parë për vendimin e Trump: Amerika nuk hoqi vizat për shqiptarët

Më: 18 janar 2026 Në ora: 10:05
Kryeministri Edi Rama në podkastin e tij “Flasim”.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë për vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pezulluar vizat me 75 vende të botës, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën.

Këtë të dielë, në episodin e dytë të sezonit të gjashtë të podkastit "Flasim" Rama shpjegoi se Administrata Trump ka pezulluar vetëm vizat për lejet e punës në Shtetet e Bashkuara, jo vizat studentore, turistike ato për biznes apo të tjera

Sipas tij, autoritetet amerikane kanë vënë re fenomenin e marrjes së vizave për turizëm apo biznes dhe më pas qytetarët e këtyre vendeve nuk kanë respektuar afatet, por kanë qëndruar në Amerikë për të punuar.

"Dhe në fund, për kripë, jo për ëmbëlsirë, dua të them dy fjalë për ata që u hodhën përpjetë, ose më saktë, për ata që jetojnë të hedhur përpjetë dhe që, në përpjetësinë e tyre, i shtuan hedhjeve edhe një hedhje të radhës dhe të së njëjtës natyrë: dezinformim, çoroditje e opinionit publik, helmim i të gjithë atyre që kanë akoma fuqinë t’i dëgjojnë, duke thënë që Amerika i ndaloi vizat për Shqipërinë.

Kjo është e pavërtetë!

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë ndaluar vizat për Shqipërinë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, administrata aktuale, nën orientimin e qartë prej kohësh të Presidentit Trump për politikën e re lidhur me emigracionin, ka vendosur që për 75 vende të botës, ndër të cilat edhe disa vende të Ballkanit, ku përfshihet edhe Kosova, të bëhet një pezullim i përkohshëm për sa i përket lejeve të punës në Shtetet e Bashkuara, jo vizave për në Amerikë, por lejeve të qëndrimit në Amerikë për punë, pasi për këtë kategori vendesh kanë vënë re fenomenin e marrjes së vizës për turizëm, marrjes së vizës për biznes dhe më pas të mosrespektimit të afateve, por të qëndrimit atje për të filluar një punë, dhe kjo është diçka që shkon në linjën krejt normale të politikës së re të Presidentit Trump dhe që nuk ka pikën e lidhjes me të gjitha ato që u thanë nga ata që hidhen përpjetë dhe që, përsëri, kur të bien në tokë, do të shohin se terreni mbi të cilin qëndrojnë është gjithmonë më i rrëshqitshëm.Pra, do të humbin thellë e më thellë dhe do të hidhen përpjetë lart e më lart.", tha Rama.

Në 14 Janar, Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se ka vendosur të pezullojë vizat imigruese për 75 vende. Mes vendeve që ‘ndëshkohen’ nga Departamenti i Shtetit janë edhe Shqipëria e Kosova.

Një memo e Departamentit të Shtetit, i udhëzon zyrtarët konsullorë të refuzojnë vizat sipas ligjit ekzistues, ndërsa departamenti rivlerëson procedurat e shqyrtimit dhe verifikimit.

Sipas raportimeve, Departamenti i Shtetit po pezullon përpunimin e vizave të imigrantëve për 75 vende në një përpjekje për të goditur aplikantët që konsiderohen si “barrë publike”.

Kategoritë e vizave të prekura janë bashkimi familjar, punësimi, birësimi, emigrantët speciale, emigrim diversiteti (lotaria). Vizat studentore dhe turistike mbeten të paprekura.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat