Nurellari për letrën e Trump drejtuar Ramës: Reagimi i kryeministrit, foshnjërak dhe pa seriozitet institucional

Shqipëria

Nurellari për letrën e Trump drejtuar Ramës: Reagimi i kryeministrit, foshnjërak dhe pa seriozitet institucional

Më: 19 janar 2026 Në ora: 21:48
Eksperti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Adri Nurellari

Eksperti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Adri Nurellari, ka komentuar letrën e presidentit amerikan Donald Trump drejtuar kryeministrit Edi Rama për përfshirjen në të ashtuquajturin “Bordi i Paqes për Gazën”, gjatë një interviste në emisionin “Studio24”.

Nurellari u shpreh se vende dhe aktorë seriozë do të tregonin më shumë përmbajtje dhe maturi institucionale, duke kritikuar mënyrën se si letra u bë publike nga kryeministri Rama. Sipas tij, reagimi i Ramës ishte një “shpërthim foshnjërak”, tipik për vende periferike që entuziazmohen për ftesa të tilla.

“Janë të paktë ata që e kanë postuar letrën, kryesisht vende periferike që entuziazmohen. Njerëzit më seriozë nuk e bëjnë këtë, aq më tepër jo me një shpërthim foshnjërak”, tha Nurellari, duke shtuar se më pas reagimi u amplifikua edhe nga Ministria e Jashtme, sikur publiku “nuk di të lexojë dhe të kuptojë”.

Ai theksoi se në letër nuk ka vlerësime personale për kryeministrin Rama dhe se gjuha e Trump është e mbushur zakonisht me superlativa. “Ku përmendet aty kryeministri? Trump ka një gjuhë plot superlativa, kjo nuk është diçka e re”, u shpreh ai.

Sipas Nurellarit, shqetësuese është vetë nisma dhe përpjekja për t’u afruar me administratën Trump, e cila sipas tij nuk ka dhënë rezultat. Ai përmendi edhe tentativa të tjera, si afrimi përmes çështjeve territoriale apo aleancave me qarqe ekstremiste, që sipas tij kanë prodhuar vetëm ekzaltim politik.

Në fund, Nurellari kritikoi edhe qëndrimin e ministres Elisa Spiropali, duke deklaruar se ajo “bën atë që bën më mirë, i serviloset kryeministrit”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat