Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka mbështetur pjesëmarrjen e gjyqtarëve, prokurorëve, hetuesve dhe policisë gjyqësore të Shqipërisë në një trajnim të specializuar mbi Krimin Kibernetik dhe Hetimet e Shfrytëzimit të Fëmijëve, të udhëhequr nga FBI-ja.
Trajnimi është zhvilluar në Akademinë Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit të SHBA-së në Budapest, ku zyrtarët shqiptarë iu bashkuan ekspertëve nga vende të ndryshme të Europës për të diskutuar përhapjen e materialeve të shfrytëzimit të fëmijëve në internet dhe kërcënimet kibernetike në rritje.
Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit u njohën me mënyrat e shpërndarjes së materialeve të dëmshme në internet, teknikat e ndjekjes kibernetike, identifikimin e viktimave dhe format e ndryshme të shfrytëzimit kibernetik dhe shkeljeve të tjera.
Ambasada e SHBA-së thekson se këto aftësi do të ndihmojnë në forcimin e kapaciteteve të institucioneve të zbatimit të ligjit dhe gjyqësorit në Shqipëri, me qëllim identifikimin, hetimin dhe ndjekjen penale të personave që përdorin internetin për të dëmtuar fëmijët.
“Nuk ka përgjegjësi më të madhe sesa t’i mbajmë fëmijët tanë të sigurt”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.