SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, gazetari: Ja si po tentojnë ta shpëtojnë me procedurë

Shqipëria

SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, gazetari: Ja si po tentojnë ta shpëtojnë me procedurë

Më: 12 shkurt 2026 Në ora: 19:27
Belinda Balluku

Gazetari Basir Çollaku theksoi se maxhoranca po zvarrit qëllimisht heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut për t’i hapur rrugë arrestimit nga SPAK, me qëllim kapërcimin e afatit tre mujor të shuarjes së kërkesës së Prokurorisë.

I ftuar në News24, gazetari theksoi se Gjykata Kushtetuese, në vendimin e parë për këtë rast, thoshte se vendimi hyn në fuqi menjëherë, ndërsa në vendimin e fundit, sipas tij, thuhet se hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Sipas gazetarit, kjo procedurë përfshin 30 ditë për publikimin e vendimit të arsyetuar dhe 15 ditë të tjera për botimin në Fletoren Zyrtare, duke e çuar procesin në 45 ditë.

Ai shtoi se kjo “akrobaci proceduriale”, siç e cilësoi ai, synon të tejkalojë afatin, brenda të cilit Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit duhet t’i paraqesë Kuvendit relacionin për heqjen ose jo të imunitetit të Ballukut dhe kërkesën për arrestimin e saj.

“Në vendimin e parë për Ballukun, Gjykata Kushtetuese theksonte se ky vendim hyn në fuqi menjëherë, ndërsa në vendimin e fundit, thotë që ky vendim hyn në fuqi pasi të botohet në fletoren zyrtare dhe për të shkuar tek fletorja zyrtare duhen 30 ditë që duhet të dalë vendimi i arsyetuar se kështu i përcillet Qendrës për Publikim dhe 15 ditë të tjera ka afat kohor qendra për publikim janë 45 ditë.

Duke shfrytëzuar këtë akrobaci procedurale ne kapërcejmë 16 marsin që është afati i mbushjes së kohës 3 mujore, ku duhet që Këshilli i Mandateve t’i ketë çuar një relacion Kuvendit dhe ai të jetë shprehur nëse është pro apo jo heqjes së imunitetit të Ballukut dhe kërkesës për arrestim. Këtë regji po luan kryeministri Rama. ”, tha gazetari.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat