Eva Dumani rikthehet pas 12 vitesh pranë nënës, daja: Ishte e frikësuar, çfarë më tha kur mbërriti në Turqi!

Shqipëria

Eva Dumani rikthehet pas 12 vitesh pranë nënës, daja: Ishte e frikësuar, çfarë më tha kur mbërriti në Turqi!

Më: 14 shkurt 2026 Në ora: 18:18
Eva Dumani

Eva Dumani u rikthye në Shqipëri mesditën e sotme dhe u bashkua me nënën e saj, Mide Dumani, pas 12 vitesh qëndrimi në Siri. Ajo ishte dërguar atje nga i ati dhe prej asaj kohe familja kishte kërkuar vazhdimisht rikthimin e saj.

Fillimisht, Eva mbërriti në kufirin mes Sirisë dhe Turqisë, ku autoritetet turke zhvilluan procedurat e nevojshme të verifikimit. Sipas dajës së saj, Xhetan Ndregjoni, ajo qëndroi për disa orë në intervistë nga strukturat e sigurisë. Me ndërhyrjen e autoriteteve shqiptare, ajo arriti të kthehej në atdhe paraditen e së premtes.

Ndregjoni deklaroi se gjatë 12 viteve familja u përball me tentativa të shumta për ta sjellë Evën në Shqipëri, përfshirë raste kur mori premtime që nuk u realizuan. Ai përshkroi takimin e parë me mbesën në Turqi, duke theksuar se e kishte parë për herë të fundit kur ishte 8 vjeçe, ndërsa sot ajo është 20 vjeçe. Gjatë viteve të ndarjes, komunikimi kishte qenë i kufizuar në mesazhe zanore.

Nëna e saj bëri të ditur se Eva ndodhet në gjendje të mirë dhe po kalon ditët e para pranë familjes. Fillimisht, ajo do të qëndrojë me të afërmit për t’u përshtatur, ndërsa më pas institucionet do të ndjekin hapat për integrimin e saj në jetën e përditshme në Shqipëri.

Rikthimi i Evës përmbyll një proces të gjatë për familjen Dumani dhe hap një fazë të re për jetën e saj në vend.

Xhetan Ndregjoni: Kemi kaluar 48 orë të vështira pasi Eva mbërriti në kufirin turk me Sirinë. Autoritetet turke të sigurisë e kanë intervistuar Evën për disa orë, por më në fund, me ndihmën e autoriteteve shqiptare, ajo mbërriti paraditen e sotme në shtëpi.

Mu hodh në qafë e vetëm thoshte: daja, daja… nisi të qante. Ishte e frikësuar, pasi ishte rrethuar me njerëz të panjohur, të cilët e sollën nga një rrugë e gjatë prej Sirisë në kufirin me Turqinë.

Nuk munda ta besoja se ajo mbërriti. Hera e fundit kur e kisha parë ishte 8 vjeçe. Ajo sot është 20 vjeçe. I dridhej zëri kur më përqafoi. Deri në atë moment ia kisha dëgjuar zërin vetëm nga mesazhet zanore që na dërgonte. E gjitha ishte e pabesueshme, pasi në të shkuarën shumë herë na ishte premtuar se do ta sillnin Evën, por nuk ndodhi.

I jam mirënjohës shumë njerëzve të përfshirë në sjelljen e Evës në shtëpi.

Mirënjohje të pafundme për çdo njeri që besoi tek Eva dhe për çdo njeri që ndihmoi që Eva të jetë sot pranë familjes! Faleminderit! Faleminderit!”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat