“Gërdeci”, GJKKO dëgjon kundërshtimet e Mediut për provat

Shqipëria

“Gërdeci”, GJKKO dëgjon kundërshtimet e Mediut për provat

Më: 24 shkurt 2026 Në ora: 15:50
Foto ilustrim

Gjykata e Posaçme dëgjoi këtë të martë kundërshtimet e ish-ministrit Fatmir Mediu ndaj provave të sjella nga SPAK në dosjen e njohur si “Gërdeci”, ku ai po gjykohet për “Shpërdorim detyre”.

Mediu tha para gjykatës se Prokuroria nuk arrin të argumentojë lidhjen mes provave të sjella dhe detyrës së tij si ministër.

“Ato që përmend Prokuroria, që sjell si prova, janë akte ku nuk përmendet askund ministri. Nuk kanë asnjë lidhje me ministrin. Unë nuk gjykohem për shpërthimin në Gërdec. Këtë e ka thënë Gjykata dhe Prokuroria që në fillim të procesit. Unë gjykohem për shpërdorim detyre dhe asnjë nga këto prova të sjella nuk ka lidhje me çështjen time”, tha ish-ministri Fatmir Mediu.

Në nisje të seancës, përmes avokatit të tij Henrik Ligori, Mediu kërkoi përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka.

“Ne kemi bërë një kërkesë për përjashtim, dhe gjyqtarja për të njëjtin fakt ka dhënë dorëheqjen, e cila është shqyrtuar nga zv.kryetari. Në përjashtimin që kërkojmë vëmendja është mbi përputhshmërinë e gjyqtarit”, shtoi Mediu.

Kërkesa për përjashtim duhet të shqyrtohet nga një gjyqtar tjetër i GJKKO, teksa seanca e radhës për këtë çështje do të mbahet më 10 mars.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat