I ftuar në “Now me Erla Mëhillin”, juristi Ylli Manjani, komentoi debatin e ashpër të zhvilluar në parlament mes deputetëve të Partisë Demokratike dhe Taulant Ballës, pas përdorimit të një termi të papërshtatshëm për deputeten Albana Vokshi nga ky i fundit.
“Nuk është serioze. Patjetër që nuk është serioze për gjuhën parlamentare, për gjuhën zyrtare të shtetit, politikës, demokracisë. Nuk është normale. Kjo nuk është mënyrë e të bërit debat apo të shprehurit e një mendimi. Ka ardhur një pikë ku duhet të kuptohet se kjo nuk është normale,” tha Manjani.
Manjani tha se ky fenomen reflekton degradimin e gjuhës politike në Shqipëri, por që nuk është i veçantë vetëm për vendin tonë. Ai theksoi se veprimet e tilla nuk janë serioze për standardet e demokracisë dhe të gjuhës zyrtare, dhe kërkoi që falja të shoqërohet me një reflektim më të thellë nga pala që ka bërë gabimin.
“Ne shqiptarët jemi popull i vogël, secili e njeh secilin. Kemi ndjeshmëri dhe në raport me femrat, duhet të zgjedhim fjalët. Falja është e mirë, por duhet të shkojë më larg, që pala tjetër të kuptojë se kërkimi i faljes është i sinqertë,” tha ai.
Manjani theksoi gjithashtu se reagimet e mazhorancës dhe opozitës shpesh reflektojnë arrogancë duke përmendur se si asimetria në moderim dhe përdorimi i pushtetit mund të intensifikojë përplasjet.
“Kjo nuk është normale. Dhuna në ushtrimin e pushtetit dhe arroganca në artikulim janë të dëmshme për shoqërinë dhe qytetarët duhet ta kuptojnë këtë, pa relativizuar fenomenin,” përfundoi ai.