Policia e Tiranës ka reaguar në lidhje me plagosjen e një gruaje, pasditen e sotme në Kamëz.
Sipas njoftimit të policisë, shtetasja E. L., rreth 30 vjeçe, është plagosur nga fqinji i saj, shtetasi N. Sh., rreth 73 vjeç, banues në Laknas.
Paraprakisht dyshohet se i moshuari ka qëlluar me armë gjahu me qëllim për të larguar një kafshë, por si pasojë një saçmë gjahu ka dëmtuar në faqe shtetasen E. L.
Në momentin e ngjarjes, e reja ndodhej në oborrin e banesës së xhaxhait të saj në Laknas.
Policia bën me dije se 30-vjeçarja, pasi mori mjekimin e nevojshëm, është larguar drejt banesës së saj.
Njoftimi i Policisë:
Kamëz
Rreth orës 15:30, është marrë njoftim se në poliklinikën në Kamëz është paraqitur për mjekim shtetasja E. L., rreth 30 vjeçe.
Menjeherë në vendngjarje ka shkuar Grupi Hetimor me qëllim zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e kapjen e autorit.
Si rezultat i veprimeve hetimore është bërë identifikimi dhe shoqërimi në Komisariat i shtetasit N. Sh., rreth 73 vjeç, banues në Laknas, për veprime të metejshme proceduriale. Paraprakisht dyshohet se 73-vjeçari ka qëlluar me armë gjahu me qëllim për të larguar një kafshë dhe për pasojë një saçmë gjahu ka dëmtuar në faqe shtetasen E. L, e cila po qendronte në oborrin e banesës së xhaxhait të saj, në Laknas.
30-vjeçarja pas marrjes së mjekimit kaloi në banesë.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të rastit.