Mila në Asamblenë Parlamentare të SEECP: Shqipëria shembull dhe model frymëzimi për rrugën drejt Bashkimit Evropian

Shqipëria

Mila në Asamblenë Parlamentare të SEECP: Shqipëria shembull dhe model frymëzimi për rrugën drejt Bashkimit Evropian

Më: 15 prill 2026 Në ora: 21:53
Sara Mila, Deputete e Partisë Socialiste

Kryetarja Delegacionit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, deputetja socialiste Sara Mila, ka theksuar rolin aktiv të Shqipërisë në proceset rajonale dhe në rrugën drejt Bashkimit Europian. Ajo u shpreh se takimi i fundit i forumit rajonal ka qenë i frytshëm, me fokus në ekonomi, inovacion dhe startupet, duke u dakordësuar për harmonizimin e rregullave dhe ligjeve në të gjithë rajonin.

“Ne jemi shumë të ngjashëm kulturalisht dhe historikisht me vendet e rajonit, por edhe në rrugën drejt BE-së. Shqipëria është pararojë në këtë aspekt dhe krenare për hapat e ndërmarrë,” – tha Mila për RTSH.

Deputetja vlerësoi rolin e SCP-së si një nga organizatat më të fuqishme të rajonit, duke përmendur presidencën e Shqipërisë në vitin 2024-2025 si një organizim të jashtëzakonshëm.

“Kolegët nga vendet anëtare më kanë thënë se kanë kaluar një kohë shumë të mirë në Shqipëri. Organizimi ka qenë i një niveli të lartë dhe mezi presin të rikthehen në Tiranë,” – u shpreh ajo.

Një tjetër pikë e rëndësishme e diskutimit ishte inteligjenca artificiale dhe nevoja për rregulla të unifikuara në rajon, në përputhje me standardet e BE-së. Mila solli shembullin e Shqipërisë me platformën E-Albania, duke e cilësuar si një model për vendet e tjera.

“Shqipëria është pararojë në përdorimin e inteligjencës artificiale në administratë. Disa vende mike ende nuk e kanë arritur këtë nivel, ndaj ky ishte një shembull i fortë i yni,” – tha ajo.

Sipas saj Shqipëria shihet si model nga vendet e tjera të rajonit për avancimin e negociatave me BE-në.

“Na shohin si mundësi për frymëzim dhe harmonizim të rrugës drejt BE-së. Jam krenare për fjalët e mira që dëgjova për Shqipërinë dhe avancimin tonë,” – përfundoi deputetja socialiste.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat