Blushi pas seancës: Duan që të mos dalin në dritë shkeljet, zero prova ndaj ish-presidentit!

Shqipëria

Blushi pas seancës: Duan që të mos dalin në dritë shkeljet, zero prova ndaj ish-presidentit!

Më: 27 prill 2026 Në ora: 12:59
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, deputeti Tedi Blushi

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, deputeti Tedi Blushi, tha se Gjykata po bunkerizon procesin ndaj ish-presidentin Ilir Meta sepse nuk do që të dalin në dritë shkeljet e kryera dhe mungesa e provave.

Ai e cilësoi antiligjor vendimin e sotëm (27 prill) të GJKKO-së që rrëzoi kërkesën e avokatit Kujtim Cakrani dhe vetë Ilir Metës, që gjyqi të bëhej publik për qytetarët.

“Unë nuk ka qenë kurrë zëdhënës i ambasadave, por i presidentit të Republikës, i cili bëri të pamundur për të realizuar një sistem të ri drejtësie, por që sot e shini se në çfarë standardesh është. Unë do jem zëdhënës vetëm i mbrojtës së interesit publik dhe të së drejtës. Ky proces nuk mund të bunkerizohet, është e papranueshme, por arsyeja është vetëm një, për të mos dalë arsyet e vërteta të një rrëmbimi idiotësh”, tha ai.

Më tej Blushi shtoi se ish-presidenti ndodhet në burg sepse mbrojti integritetin territorial të Shqipërisë dhe Kosovës:

“Meta ndodhet i izoluar sot në burg sepse ka bërë vetëm një gabim, ka mbrojtur integritetin kombëtar, integritetin e Kosovës, ai ndodhet në burg sepse ka mbrojtur në veçanti integritetin territorial të Shqipërisë”.

Sipas deputetit të PL, nuk ka asnjë provë që vërteton shkeljet e Metës sipas pretendimeve të SPAK-ut dhe drejtësia e re do që të mos dalin në dritë shkeljet që bënë ndaj Metës, që nga rrëmbimi dhe tani mbajtja prej 21 tetorit 2024 në paraburgim.

“Po hermetizojnë një proces që të mos dalin ato prova që janë të pamohueshme, zero prova, zero pasuri e paligjshme, zëroi shkelje e ligjit. Po bunkerizohet procesi që të mos dalin në dritë shkeljet e kryera”, përfundoi ligjvënësi opozitar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat