Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, denoncoi sot një dukuri që sipas saj përsëritet çdo muaj me të moshuarit, të cilëve u duhet të mbajnë radhë të gjata dhe për orë të tëra vetëm e vetëm që të marrin një abone falas.
Ajo ka postuar me video pamje nga një sportel i Postës, në zonën e Tiranës së re te Njësia nr. 5 në kryeqytet, ku duket qartë se dhjetëra pensionistë presin në radhë.
Ajo e cilëson sorollatje, turp dhe situatë që përsëritet, duke ironizuar edhe mazhorancën socialiste.
“Sapo kalova nga Tirana e Re, Njësia 5, dhe shihni pamjet: pensionistët mbajnë radhë për orë të tëra për të marrë një abone falas nga Bashkia. Kjo situatë që përsëritet çdo muaj tregon qartë sa pak i vlerësojnë pensionistët këta “Rilindas”, shkruan ajo mes të tjerash në rrjetin social.
Dhe në fund, teksa apelon për ndërhyrje dhe zgjidhje, ligjvënesja opozitare sugjeron që abonetë të jenë vjetore për pensionistët dhe që të mos presin me orë të tëra në radhë, përveç vështirësive të tjera që kanë me moshën apo me kushtet e motit.
Postimi i plotë i Erisa Xhixhos:
“Sapo kalova nga Tirana e Re, Njësia 5, dhe shihni pamjet: pensionistët mbajnë radhë për orë të tëra për të marrë një abone falas nga Bashkia.
Kjo situatë që përsëritet çdo muaj tregon qartë sa pak i vlerësojnë pensionistët këta “Rilindas”.
Gjyshërit dhe gjyshet tona, që kanë dhënë aq shumë për këtë vend, sot jetojnë në vështirësi. Shumë prej tyre jetojnë të vetmuar dhe nuk arrijnë të blejnë as ilaçet, as ushqimet bazë me pensionet qesharake që u ofron kjo qeveri, që vetëm socialistë nuk janë.
Zgjidhja është e thjeshtë: jepuni pensionistëve abone vjetore dhe mos i detyroni të sorollaten e të poshtërohen në radhë, në dimër e në verë, në temperatura ekstreme. Turp!”.