“Lennart Meri”, Rama në Estoni: Evropa përballet me rrezikun që barra e sigurisë të shtrembërojë përparësitë ekonomike

Shqipëria

“Lennart Meri”, Rama në Estoni: Evropa përballet me rrezikun që barra e sigurisë të shtrembërojë përparësitë ekonomike

Më: 15 maj 2026 Në ora: 20:53
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në panelin hapës të Lennart Meri Conference në Estoni, një nga forumet më të rëndësishme ndërkombëtare për sigurinë, diplomacinë dhe të ardhmen e Europës.

I pyetur se si ndihen shqiptarët në raport me NATO-n, Rama deklaroi se shqiptarët janë “talebanë perëndimorë” duke shpjeguar se kjo do të thotë se “ne jemi me aleancën transatlantike deri në fund, çfarëdo që të ndodhë”.

Gjatë diskutimit, kreu i qeverisë shqiptare ndau edhe reflektime mbi sfidat me të cilat po përballet Evropa në aspektin e sigurisë dhe ekonomisë, duke iu referuar edhe një fjalimi të mbajtur nga Mario Draghi në Gjermani, ku ish-kryeministri italian u nderua me çmimin Karli i Madh.

“Ai mbajti një fjalim që më bëri të mendoja se kishin kaluar dy vjet që nga raporti i tij për Europën. Ndërkohë, fjala pak a shumë thellohej në të njëjtën çështje. Ajo që ka ndodhur, kur bëhet fjalë për të vepruar, nuk është shumë. Dhe kjo është baza e shqetësimit kryesor, nëse flasim për shqetësime”, tha Rama.

Rama u shpreh se, se Evropa rrezikon të humbasë ekuilibrin mes sigurisë dhe zhvillimit ekonomik, nëse fokusi mbetet vetëm te rritja e shpenzimeve ushtarake.

“Nuk dua të provokoj askënd këtu, por jam shumë i tunduar të bëj një pikënisje me ish-Bashkimin Sovjetik, kur vjen fjala te mënyra se si gjërat kuptohen apo perceptohen në një mënyrë apo në një tjetër, por ndërkohë nuk trajtohen. Kjo është tunduese jo sepse Evropa mund të bëhet Bashkimi Sovjetik, por sepse ekziston një pyetje themelore që kërkon përgjigje: A mundet Evropa, në kushte të caktuara, të lejojë që imperativat e mbrojtjes, ankthi gjeopolitik dhe përgjigjet e fragmentarizuara të krijojnë një mungesë afatgjatë ekuilibri midis ambicieve të sigurisë dhe asaj që unë e quaj qëndrueshmëri e civilizimit?”, theksoi Rama

Rama theksoi se Evropa duhet të bëjë një analizë të thellë për mënyrën se si po reagon ndaj sfidave të reja gjeopolitike, pa ia faturuar përgjegjësinë vetëm SHBA-ve apo presidentit Donald Trump.

“Po përballemi me rrezikun që barra e sigurisë të shtrembërojë përparësitë ekonomike. Inferioriteti i perceptuar strategjik mund të shkaktojë një mbireagim. Dhe ajo që është pjesa më dramatike, duke folur për NATO-n 3.0 apo çfarëdo emri që mund t’i vihet, është se fragmentarizimi burokratik dobëson reagimin. Kjo më tej na çon në një tjetër pikë që meriton së paku vëmendje dhe diskutim: legjitimiteti politik mund të minohet nga kërkimi për fuqi ushtarake”, tha Rama.

“Të gjitha këto gjëra më shqetësojnë për drejtimin ku po shkon Evropa. Në vend që të fajësojmë apo të përpiqemi të rivlerësojmë pozicionin tonë duke drejtuar gishtin drejt SHBA-ve apo presidentit Donald Trump, ne duhet të bëjmë një vlerësim të mirëfilltë dhe të përpiqemi të kuptojmë se konteksti sigurisht që ka ndryshuar, por cila duhet të jetë përgjigjja reale”, u shpreh Rama.

“Nuk mendoj se përgjigjja reale duhet të jetë vetëm të hidhemi te rritja e shpenzimeve dhe të mos trajtojmë problemet strukturore që kemi. Sepse jemi shumë vende së bashku, jemi një ekonomi e madhe. Por kur vjen fjala te mënyra se si duhet të veprojmë dhe të harmonizohemi, nuk jemi më aq të fortë sa dukemi kur shihemi si një shumë aritmetike e PBB-ve tona”, tha Rama.

Në fund të fjalës së tij, Rama shtroi një pyetje që, sipas tij, Europa duhet t’ia bëjë vetes.

“Europa duhet t’ia bëjë vetes një pyetje: Sa mund të shpenzojë një civilizim për të siguruar vetveten pa dobësuar themelet që e bëjnë të vlefshme për t’u siguruar? Sepse ka kaq shumë detyra dhe sfida komplekse që duhet t’i trajtojmë paralelisht. Ashtu siç tha Mario Draghi dje, duhet të reflektojmë mbi një fakt të thjeshtë: nuk kemi barriera me botën dhe papritur tronditemi kur shfaqen disa tarifa, por kemi shumë barriera brenda vetë perimetrit tonë, të cilat nuk na bëjnë aq të fortë sa duam të dukemi kur vjen momenti për të reaguar në drejtimin që më pyetët”, tha Rama.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat