Rama: 646 turistë mbërrijnë në Durrës me kroçierën “Sirena”

Shqipëria

Rama: 646 turistë mbërrijnë në Durrës me kroçierën “Sirena”

Më: 16 maj 2026 Në ora: 17:11
Porti i Durrësit

Porti i Durrësit priti mëngjesin e sotëm 646 turistë të ardhur me kroçierën “Sirena”, e cila u ankorua së bashku me 393 anëtarë ekuipazhi në bord.

Kryeministri Edi Rama ndau pamje nga mbërritja e kroçierës, duke vënë në dukje rritjen e vazhdueshme të fluksit të turistëve që vizitojnë vendin përmes turizmit detar.

Ai theksoi se Shqipëria po forcon gjithnjë e më shumë pozicionin e saj si një nga destinacionet e preferuara të kroçierave në Mesdhe, me një gjeografi gjithnjë e më të gjerë të vendeve nga vijnë turistët.

Sipas Ramës, vizitorët e ardhur në Durrës përfaqësojnë një spektër të gjerë kombësish, përfshirë SHBA, Mbretërinë e Bashkuar, Kanadanë, Meksikën dhe vende të tjera, duke reflektuar rritjen e interesit ndërkombëtar për Shqipërinë si destinacion turistik.

“Vizitorë nga SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Meksika dhe shumë vende të tjera po zgjedhin Shqipërinë si një nga destinacionet më të preferuara të kroçierave në Mesdhe”, u shpreh Kryeministri në një reagim në rrjetet sociale.

Numri i shtuar i mbërritjeve të kroçierave në Durrës tregon një trend pozitiv të zhvillimit të turizmit detar dhe rritjes së të ardhurave nga sektori turistik në vend.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat