Lamallari në Austri, takohet me ministrin e Brendshëm: Forcojmë bashkëpunimin në fushën e sigurisë

Shqipëria

Lamallari në Austri, takohet me ministrin e Brendshëm: Forcojmë bashkëpunimin në fushën e sigurisë

Më: 22 maj 2026 Në ora: 10:47
Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari ka zhvilluar një takim me ministrin e Brendshëm të Austrisë, Gerhard Karner. Ky takim është mbajtur në kuadër të pjesëmarrjes në “Europa Forum Wachau”.

Gjatë bisedimeve, dy ministrat diskutuan mbi forcimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Austrisë në fushën e sigurisë, menaxhimit të kufijve, luftës kundër krimit të organizuar dhe koordinimit përballë sfidave të përbashkëta europiane.

Në një reagim në rrjetet sociale, Lamallari vlerësoi partneritetin me Austrinë si të rëndësishëm për rrugën europiane të Shqipërisë dhe për garantimin e më shumë sigurie për qytetarët.

“Partneriteti me Austrinë mbetet i rëndësishëm në rrugën tonë drejt integrimit europian dhe në garantimin e më shumë sigurie për qytetarët tanë”, u shpreh ministri i Brendshëm.

Lamallari theksoi gjithashtu se Shqipëria po kthehet gjithnjë e më shumë në një destinacion të preferuar për turistët austriakë dhe për sipërmarrësit që kanë zgjedhur të investojnë në vendin tonë, duke nënvizuar rritjen e marrëdhënieve ekonomike dhe njerëzore mes dy vendeve.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat