Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar disa ndryshime në trupën diplomatike shqiptare, lirime dhe emërime të reja në disa prej përfaqësive kryesore të vendit.
Donika Hoxha u lirua nga detyra si ambasadore jo-rezidente në Bosnjë dhe Hercegovinë, Dastid Koreshi u largua nga posti në Misionin e Përhershëm pranë Këshillit të Evropës në Strasburg, ndërsa Eglantina Gjermeni u lirua nga detyra si ambasadore pranë OSBE-së dhe organizatave ndërkombëtare në Vjenë.
Po ashtu, Presidenti dekretoi emërimin e Spiro Koçit si ambasador në Bosnjë dhe Hercegovinë, ndërsa Florian Nova u caktua ambasador në Egjipt dhe njëkohësisht jo-rezident në disa shtete të Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut.
Elvira Isufi u emërua ambasadore në Suedi, me akreditime jo-rezidente në Finlandë, Islandë dhe Norvegji, ndërsa Ermal Muça u emërua ambasador në Japoni, duke marrë gjithashtu akreditime jo-rezidente në disa vende të Azisë dhe u shtua edhe si ambasador jo-rezident në Korenë e Jugut.
Gjithashtu, Dastid Koreshi u emërua në një detyrë të re si ambasador i Shqipërisë në Misionin e Përhershëm pranë OKB-së dhe organizatave ndërkombëtare në Gjenevë.
NJOFTIMI NGA PRESIDENCA
Presidenti i Republikës Sh.T.Z. Bajram Begaj, dekretoi sot lirimin e:
Znj. Donika Hoxha, Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kroacisë, rezident, si dhe Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Bosnjë dhe Hercegovinë, jo rezident, vetëm nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Bosnjë dhe Hercegovinë, jo rezident.
Z. Dastid Koreshi, nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Misionin e Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë Këshillit të Evropës, në Strasburg, rezident.
Znj. Eglantina Gjermeni nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë pranë Misionit të OSBE-së dhe Organizatave Ndërkombëtare në Vjenë, rezident.
Gjithashtu, Presidenti i Republikës Sh.T.Z. Bajram Begaj, dekretoi sot emërimin e:
Z. Spiro Koçi, në detyrën e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Bosnjë dhe Hercegovinë, rezident.
Z. Florian Nova, në detyrën e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Republikën Arabe të Egjiptit, rezident, dhe Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Republikën Arabe të Sirisë, në Mbretërinë Hashemite të Jordanisë, Shtetin e Libisë, Shtetin e Palestinës, Republikën Libaneze dhe në Republikën e Sudanit, jo rezident.
Znj. Elvira Isufi, në detyrën e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Suedisë, rezident, dhe Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Finlandës, në Republikën e Islandës dhe në Mbretërinë e Norvegjisë, jo rezident.
Z. Dastid Koreshi, në detyrën e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Misionin e Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë Zyrës së Kombeve të Bashkuara dhe Organizatave të Tjera Ndërkombëtare në Gjenevë, rezident.
Z. Ermal Muça, Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Japoni, rezident, si dhe Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Filipineve, Republikën e Indonezisë, Republikën e Singaporit dhe në Malajzi, jo rezident, u emërua edhe në detyrën e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Koresë, jo rezident.