Sot është dita e gjashtë e protestës së qytetarëve, të cilët kundërshtojnë projektin turistik në zonën e mbrojtur në Zvërnec dhe largimin e qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Me sloganin “Shqipëri e re”, organizatorët ftojnë qytetarët që t’iu bashkoven atyre mijëra të tjerëve që për pesë ditë me radhë kanë mbushur zonën para Kryeministrisë me pankarta kundër qeverisë dhe ndërtimeve në zonat e mbrojtura. Protesta nis në orën 18:00 në sheshin Skënderbej.
Një ditë më parë, qytetarët i parashtruan kryeministrit një sërë kërkesash që sipas tyre janë të panegociueshme. Ata kërkojnë largimin e qeverisë, shfuqizimin e statusit për investitorët strategjikë, shfuqizimin e Paketës së Maleve, anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe për trashëgiminë kulturore shqiptare.
PESË KËRKESAT E PROTESTUESVE:
1 – Dorëheqja e qeverisë
2 – Shfuqizimi i statusit dhe kuadrit ligjor që lidhet me investitorët strategjikë
3 – Shfuqizimi i paketës së maleve
4 – Anulimi i ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura
5 – Anulimi i ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore shqiptare