“O dorëzohu ose rrëzohu!” - Përfundon marshimi i protestës, qytetarët paralajmërojnë grumbullim masiv nesër në mëngjes

Shqipëria

“O dorëzohu ose rrëzohu!” - Përfundon marshimi i protestës, qytetarët paralajmërojnë grumbullim masiv nesër në mëngjes

Më: 1 korrik 2026 Në ora: 08:07 Përditësuar në ora: 23:09 më 01.07.2026
Protesta

Pankartat “pikante” në tubimin e 32-të, protestuesit në marshim

Protestuesit marshuan në rrugët e Tiranës pasi protestuan për më shumë se dy orë para Kryeministrisë.

Qytetarët kanë bërë thirrje të vazhdueshme për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa nuk kanë munguar thirrjet kundrejt të gjithë klasës politike.

Edhe në tubimin e sotëm nuk kanë munguar pankartat me mesazhet pikante.

Më herët protestuesit njoftuan protestë nesër para Parlamentit në të njëjtën kohë me zhvillimin e seancës plenare.

Ndërkohë më 4 korrik pritet që në Tiranë të vijë sërish diaspora dhe numri i protestuesve të jetë shumë i lartë.

Lajmin e plotë mund ta lexoni këtu!

“Rama jep dorëheqjen!”- Përfundon marshim nëpër Tiranë në ditën e 32-të të protestës, qytetarët thirrje: Nesër në 10-të para Parlamentit

Qytetarët kanë përfunduar marshimin simbolik në rrugët e Tiranës në kuadër të ditës së 32-të të protestës për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij.

Protesta nisi para godinës së Kryeministrisë, ku për disa orë u mbajtën fjalime nga aktivistë, gazetarë, pedagogë dhe qytetarë. Gjatë tubimit u artikuluan kritika ndaj qeverisë dhe kryeministrit Rama, ndërsa protestuesit përsëritën kërkesën e tyre kryesore: dorëheqjen e kreut të qeverisë.

“Rama jep dorëheqjen”, ishte një nga thirrjet që u dëgjua vazhdimisht gjatë protestës.

Pas përfundimit të fjalimeve, protestuesit nisën marshimin drejt qendrës së Tiranës, për të vijuar më pas drejt godinës së Parlamentit.

Para Parlamentit qytetarët brohoritën me thirrjet “Parlamenti i krimit”, “Parlament analfabet” dhe “Ju erdhi fundi”, duke shprehur kundërshtimin ndaj deputetëve.

Nga aty, organizatorët u bënë thirrje qytetarëve që të mblidhen sërish nesër, në orën 10:00, para Parlamentit, me synimin për të protestuar para zhvillimit të seancës plenare.

Më pas, marshimi vijoi përgjatë Rrugës së Elbasanit, ku qytetarët brohoritën njëzëri “Shqipëria kërkon revolucion” dhe “Shqipëria e rinisë, jo e partisë”.

Protestuesit kaluan gjithashtu pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të vijuar më tej drejt zonës së Liceut Artistik dhe më pas u rikthyen në godinën e Kryeministrisë, aty ku kishte nisur protesta.

Me rikthimin para Kryeministrisë u mbyll edhe protesta e ditës së 32-të, ndërsa organizatorët dhe të gjithë bën thirrjen e përnatshme: “nesër më shumë” dhe “nesër në 10”, për protestën e paralajmëruar para Parlamentit.

Marshimi qytetar, protestuesit zhvendosen para Kuvendit

Pas disa orësh fjalime para godinës së Kryeministrisë, protestuesit kanë nisur marshimin e përnatshëm në rrugët e Tiranës, në kuadër të ditës së 32-të të protestës qytetare.

Me flamuj kuqezi, pankarta dhe thirrjet "Rama ik!", "Rama në burg, Berisha në burg!", "Shqipëri e re!" dhe "Ju erdhi fundi!", turma është nisur drejt godinës së Kuvendit, ku një ditë më parë u shënuan tensione dhe përplasje me Policinë e Shtetit.

Marshimi i sotëm merr një domethënie të veçantë pasi protestuesit kanë paralajmëruar se do të rikthehen sërish të enjten në mëngjes para Parlamentit, në orën 10:00, kur deputetët do të mblidhen në seancë plenare.

Nga podiumi i protestës u bë thirrje për një mobilizim sa më të madh, ndërsa qytetarëve iu kërkua të paraqiten me vezë dhe miell, në shenjë revolte ndaj deputetëve, duke paralajmëruar vazhdimin e aksioneve simbolike që nisën një ditë më parë.

Organizatorët deklaruan se aksioni i së enjtes vjen si reagim ndaj përplasjeve të djeshme me policinë, kur disa protestues u shoqëruan në komisariat pas incidenteve të regjistruara në hyrje të Kuvendit.

Teksa marshojnë drejt Parlamentit, protestuesit vijojnë të akuzojnë klasën politike se nuk përfaqëson qytetarët dhe përsërisin se protesta nuk do të ndalet derisa të realizohen kërkesat e tyre, me në krye largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimin e sistemit politik.

Nis marshimi në rrugët e Tiranës, qytetarët kërkojnë largimin e Edi Ramës

Protestuesit nisën marshimin, pas fjalimeve që mbajtën në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ në ditën e 32-të protestës masive.

Shqiptarët vazhdojnë revoltën e tyre kundër qeverisë së Edi Ramës, ndërsa prej më se katër javësh artikulojnë dorëheqjen e tij.

Diaspora i është bashkuar kësaj protestë, dhe shprehet se do të qëndrojnë të vendosur në kërkesat e tyre.

Më herët protestuesit kanë artikuluar 5 kërkesat e tyre drejtuar qeverisë, me ultimatumin për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Vijon...

Aktivisti Andi Tepelena: Nesër me vezë dhe miell para Parlamentit, do gatuajmë demokracinë e re! Duam votën e lirë dhe një Republikë të Re!

Aktivisti Andi Tepelena ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës së nesërme para Parlamentit, duke paralajmëruar një aksion simbolik me vezë dhe miell ndaj deputetëve.

“Dua të përsëris thirrjen për nesër. Nesër me vezë, me miell me vete dhe ta gatuajmë bashkë brumin e demokracisë. Do të dalim aty për t’i treguar atij parlamenti të krimit që nuk janë përfaqësuesit tanë, ata nuk na përfaqësojnë ne”, tha ai.

Sipas Tepelenës, protesta synon krijimin e një “Republike të Re”, ku qytetari të jetë në qendër dhe vota të jetë e barabartë. Ai u bëri thirrje protestuesve që të marrin pjesë në tubimin para Parlamentit dhe të mos kenë frikë nga policia.

“Ata do të bëjnë çmos me patronazhistë dhe lloj-lloj banditësh që kanë. Ne nuk kemi frikë, sepse jemi bashkë, për një kauzë të drejtë dhe një Shqipëri të lirë”, tha ai.

Andi Tepelena: Dua të përsëris thirrjen për nesër. Nesër me vezë, me miell me vete dhe ta gatuajmë bashkë brumin e demokracisë. Do të dalim aty për t’i treguar atij parlamenti të krimit që nuk janë përfaqësuesit tanë, ata nuk na përfaqësojnë ne.

Ne jemi këtu për të ngritur një sistem të ri, një Republikë të Re. Një Republikë të Re që barazon votën. Ne duam zgjedhje të ndershme dhe votë të barabartë, që çdo shqiptar të votojë i lirë. Pas 36 vitesh na e kanë mbledhur këtë sistem dy kryetarë partie, e kanë kthyer në Republikë të kryetarëve, ndërsa ne duam Republikë të qytetarëve, ku qytetari të jetë në qendër, t’i japim referendum.

Kjo është luftë për demokracinë, për të drejtat tona. Ndaj, në ato pesë pika të famshme e kemi theksuar një reformë elektorale, zgjedhore, ku të garantohet vota, vota e lirë. Sepse ajo do të na bëjë të lirë të gjithëve.

I bëj thirrje që këtij parlamenti t’i tregojmë vendin. Është momenti të ngrihemi në lartësinë e duhur, të bëjmë një rrethim demokratik të parlamentit. Mos u shantazhoni nga policia, mos kini frikë. Ata do të bëjnë çmos me patronazhistë dhe lloj-lloj banditësh që kanë. Ne nuk kemi frikë, sepse jemi bashkë, për një kauzë të drejtë dhe një Shqipëri të lirë.

Protestuesit i japin Edi Ramës “çmimin”: Njeriu më i urryer në Shqipëri!

Po mbahet në Tiranë dita e 32-të e tubimit të qytetarëve.

Një prej momenteve më të veçanta ishte një postër e ngjitur në shkallët e kryeministrisë.

Aty dukej Rama me mbishkrimin “Personi më i urryer në Shqipëri” dhe “Game Over”.

Ndërkohë që disa fëmijë luanin darts me posterin duke shënjestruar Ramën.

Protestuesit imitojnë rrëzimin e shtatores së Enver Hoxhës me fotografinë e Edi Ramës: O dorëzohu ose rrëzohu!

Po mbahet në Tiranë dita e 32-të e tubimit të qytetarëve.

Një moment simbolik është shënuar gjatë protestës së zhvilluar në Tiranë, ku një prej protestuesve kishte rikrijuar skenën e rrëzimit të shtatores së ish-diktatorit Enver Hoxha, duke përdorur fotografinë e kryeministrit Edi Rama.

Me një pankartë me foton e Ramës, protestuesit kanë imituar veprimin historik të dhjetorit të vitit 1990, kur qytetarët rrëzuan shtatoren e Enver Hoxhës në sheshin “Skënderbej”.

“O dorëzohu ose rrëzohu!”, ishte mesazhi që ata kanë brohoritur njëzëri para kryeministrisë, ndërsa i riu hodhi në tokë pankartën me foton e Ramës.

Dita e 32-të e tubimit të Tiranë, protestuesit para Kryeministrisë: Policia tejkaloi kompetencat

Po mbahet në Tiranë dita e 32-të e tubimit të qytetarëve.

Ashtu si çdo ditë, protestuesit janë mbledhur në sheshin “Skënderbej” e më pas kanë nisur marshimin drejt Kryeministrisë, aty ku disa prej tyre do të mbajnë fjalën e tyre.

Ata vijuan me thirrjet e tyre të përhershme: “Revolucion! Rama n’burg, Berisha n’burg”.

Në podiumin para Kryeministrisë, disa prej qytetarëve u ndalën te protesta e një ditë më parë para Kuvendit, duke thënë se policia tejkaloi kompetencat dhe u përdor nga partitë politike.

Dhuna ndaj aktivistëve, flet Mit’hat Havari: Policia tejkaloi kompetencat! Qeveria ka korruptuar dhe Akademinë e Rendit, u helmuan dy herë! Fajin e ka Rama, peshku qelbet nga koka

Ish-drejtori i Policisë së Shtetit Mit’hat Havari ishte një nga folësit e protestës së 32-të kundër qeverisë Rama.

Ai u shpreh mbi dhunën e policisë dje në protestën para parlamentit.

Havari theksoi se reagimi i policisë ishte joproporcional dhe efektivët tejkaluan kompetencat.

Havari: Isha atje në orën 10 ishte gjithçka e qetë. I kam bërë thirrje drejtuesit e policisë të kenë kujdes. Të çojnë njerëz të trajnuar. Më vonë pashë në tv, ishte një dhunë jo proporcionale. Policia tejkaloi kompetencat. Dhunë e pajustifikueshme. Vezët nuk janë asgjë. Kemi parë GB, një person e goditi me këpucë. Nuk ndodhi asgjë. Këtu nuk janë nga ata që hedhin molotovë. Janë të rinj të kulturuar. U bënë 32 ditë dhe tejkalojnë situatat. E di shumë mirë vështirësitë e policisë. Policia është më e diskriminuara në 36 vjet. U diskreditua me Berishën të parinë. 1 3 vjet ky e ka përdorur policinë si të kishte rrobën. Mos harroni në 36 vjet janë vrarë 300 policë janë vrarë për këta bastardë. Janë vëllezërit tanë. Eprorët e tyre mbajnë përgjegjësi. Mos harroni se ndeshen me krimin. Nuk janë armiq, janë njerëzit tanë. Nuk janë ata shkaktarët. Dramat i shkaktojnë Sali Berisha i pari dhe Edi Rama. Një qeveri e korruptuar ka mbërritur deri te Akademia e Rendit. Janë helmuar dy herë. Përgjegjësi mban ky. Peshku qelbet nga koka. Bëjnë mirë të mos marrin ushqime të paketuara. Shumica vijnë aty me barkun bosh. Ne nuk harrojmë çka ndodhur. Rama në burg, Berisha në burg.

“T’i kërkojmë SPAK të nxitojë me procedurat për heqjen e imunitetit të Ballukut”- Aktivisti: Kur bie qeveria dhe kryeministri hapet rruga për revolucionin shoqëror

Vijoi edhe sot protesta e 32-të qytetare kundër qeverisë Rama. 

Një prej aktivistëve i kërkoi SPAK të bëjë procedurat për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.

Aktivisti: Nuk duhet të harrojmë ti kërkojmë po SPAK që të nxitojë me procedurat për heqjen e imunitetit të Belinda Balluku, heqja e imunitetit të së cilës do i hapte mundësi drejtësisë të shkonte në vend.

E dimë që në momentin që bie qeveria kryeministri hapet rruga për pikat e tjera dhe për të bërë një revolucion shoqëror në Shqipëri e pasuar nga një qeveri tranzitore me mandat 12 mujor që të bënte të mundur realizimin e pikave të tjera.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat