“Bota ka kthyer sytë nga Shqipëria” – Dita e 36 e protestës, qytetarët: Nuk ndalemi deri në largimin e Ramës!

Shqipëria

“Bota ka kthyer sytë nga Shqipëria” – Dita e 36 e protestës, qytetarët: Nuk ndalemi deri në largimin e Ramës!

Më: 5 korrik 2026 Në ora: 08:16 Përditësuar në ora: 19:22 më 05.07.2026
Pamje nga protesta në Tiranë

“Deputetë të PS na marrin në telefon dhe na qajnë hallet”/ Biznesmeni Erlind Xhindi: Kjo qeveri po çmontohet! Në shesh deri në largimin e Ramës

Biznesmeni Erlind Xhindi, një nga zërat aktivë në protestat masive që vijojnë tashmë prej 36 ditësh, ka treguar se deputetë të Partisë Socialiste kontaktojnë në telefon me protestuesit dhe u qajnë atyre hallet.

Ai është shprehur se mbështetja e protestës nga të gjitha shtresat e shoqërisë po çmonton sistemin 36 vjeçar që është në Shqipëri.

“Jemi të lumtur, shumë nga ne i kanë marrë në telefon, deputetë të maxhorancës marrin në telefon protestuesit dhe qajnë allin me ta. Arrijnë të shfajësohen te protestuesit, kjo tregon se kjo qeveri ka rënë dhe kjo kastë politike ka rënë. Mbështetja nga të gjithë shtresat e shoqërisë, është duke çmontuar të gjithë kastën në ikje të kësja politike që ka arritur deri aty sa ka krijuar një sistem monopartiak në vend”, tha ai.

U dhunua nga policia, edhe pse kaloi kriza epilepsie/ Protestuesi del nga komisariati: Kjo ishte ‘arma’ ime

Njëri nga protestuesit e liruar sot nga gjykata në Tiranë ishte edhe Niko Qarkaj, rasti i të cilit shkaktoi reagime të shumta te qytetarët dhe pjesëmarrësit në protestë.

Sipas denoncimeve, pas arrestimit gjatë protestës së së enjtes para Parlamentit, Qarkaj është dhunuar në ambientet e komisariatit, ndërsa gjatë qëndrimit në paraburgim ka pësuar edhe kriza epilepsie.

Edhe gjatë seancës gjyqësore të zhvilluar sot, ai pati një tjetër krizë epilepsie. Më pas, gjykata vendosi lirimin e tij për mungesë provash.

Pas daljes nga Komisariati Nr. 3, ku ishte pritur nga qytetarë të shumtë, Qarkaj u ngjit mbi kangjellat e hyrjes dhe nxori nga xhepi një vezë, duke deklaruar:

"Kjo ishte arma ime". Më pas, ai e hodhi vezën në oborrin e komisariatit.

Sot protesta e 36-të radhazi, shqiptarët nuk tërhiqen nga kërkesa e panegociueshme: Rama jepe dorëheqjen!

Rezistenca popullore kundër kryeministrit Edi Rama nuk njeh të ndalur. Ditën e sotme, në orën 19:00, do të mbahet protesta e 36-të masive, ku qytetarët do të derdhen sërish në shesh me kërkesën e panegociueshme për largimin e menjëhershëm të kreut të qeverisë.

Koordinatorët e tubimit u kanë bërë një thirrje të fortë të gjithë shqiptarëve, jo vetëm atyre brenda kufijve nga çdo cep i vendit, por edhe mbështetësve të shumtë të diasporës që kanë udhëtuar drejt Tiranës, që t’i bashkohen këtij marshimi vendimtar.

Sipas planit të organizimit grumbullimi i parë i dallgës së protestuesve do të nisë në sheshin “Skënderbej”.

Më pas, marshimi madhështor do të zhvendoset drejt godinës së Kryeministrisë, aty ku do të kulmojë edhe revolta qytetare.

Kërkesa kryesore e kësaj lëvizjeje të pandalshme mbetet vetëm një: rrëzimi i Edi Ramës. Organizatorët kanë bërë të qartë se sheshet nuk do të braktisen dhe askush nuk do të tërhiqet pas deri në përmbushjen e plotë të këtij qëllimi. Përmes mesazhit të prerë dhe të qartë “Ju erdhi fundi”, qytetarët janë ftuar të marrin pjesë masivisht në këtë përballje radhazi për të treguar se legjitimitetit të kësaj qeverie i ka ardhur fundi.

“Lironi çunat”/ Organizatorët e protestës letër ambasadave të huaja

Organizatorët e protestës kanë dënuar përdorimin e forcës nga Policia e Shtetit gjatë protestës së 2 korrikut, duke e cilësuar atë joproporcional dhe në kundërshtim me të drejtat kushtetuese të qytetarëve.

Ata i janë referuar edhe gjetjeve të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, sipas të cilit administrimi i protestës ka ngritur shqetësime për tejkalim të kompetencave nga policia.

Në deklaratë kërkohet një hetim i pavarur për çdo rast të dyshuar të dhunës policore, si dhe lirimi i protestuesve të arrestuar gjatë tubimit. Gjithashtu, shprehet shqetësim për kontrollet e raportuara ndaj qytetarëve që synojnë t’i bashkohen protestës së radhës, duke i cilësuar ato si forma presioni dhe intimidimi.

Organizatorët i bëjnë thirrje Policisë së Shtetit të garantojë mbarëvajtjen e protestës së ardhshme dhe të shmangë çdo veprim që mund të çojë në përshkallëzim të situatës. Njëkohësisht, u kërkojnë qytetarëve ta ruajnë karakterin paqësor të protestës dhe i ftojnë të marrin pjesë në mobilizimin e radhës, duke përsëritur kërkesën për lirimin e protestuesve të arrestuar.

Deklarata e plotë e Grupit Koordinues:

Protesta është një e drejtë themelore kushtetuese dhe një nga mjetet më të rëndësishme të qytetarëve për të kërkuar llogaridhënie nga pushteti. Çdo përpjekje për ta frikësuar, penguar apo shtypur këtë të drejtë përmes përdorimit të forcës përbën një cenim të demokracisë dhe të lirive themelore.

Dënojmë fuqimisht përdorimin e forcës joproporcionale nga Policia e Shtetit ndaj protestuesve gjatë protestës së 2 korrikut 2026, si përdorimi i gazit lotsjellës pa paralajmërim, shtyrja dhe goditja e protestuesve, si dhe ushtrimi i dhunës ndaj personave të neutralizuar, të cilat janë veprime të papranueshme dhe në kundërshtim me standardet e një shteti demokratik.

Monitorimi i kryer nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka evidentuar shqetësime serioze mbi mënyrën se si u administrua protesta, duke ngritur dyshime të forta për tejkalim të kompetencave nga ana e Policisë së Shtetit dhe përdorim të forcës në kundërshtim me ligjin dhe standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Po ashtu, argumentohet qartë se veprimet e një numri të kufizuar individësh nuk mund të përdoren si justifikim për ushtrimin e dhunës ndaj mijëra qytetarëve që protestuan në mënyrë paqësore.

I kërkojmë Policisë së Shtetit të japë shpjegime publike për përdorimin e forcës gjatë protestës së 2 korrikut dhe të mundësojë një hetim të pavarur, transparent dhe efektiv për çdo rast të dyshuar të tejkalimit të kompetencave. Çdo punonjës policie që ka shkelur ligjin duhet të mbajë përgjegjësi. Policia e Shtetit nuk mund dhe nuk duhet të shndërrohet në një instrument politik për të trembur, intimiduar apo ndëshkuar qytetarët që ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të protestuar. Përdorimi i forcës për të krijuar frikë dhe për të dekurajuar pjesëmarrjen qytetare është i papranueshëm në një shtet demokratik.

Fatkeqësisht, dhuna e ushtruar në Zvërnec ndaj një protestuesi paqësor nuk ishte një rast i izoluar. Ajo u përsërit dhe u përshkallëzua më 2 korrik, kur një grup protestuesish që prej më shumë se një muaji kanë protestuar në mënyrë të vazhdueshme dhe kryesisht paqësore u përballën me përdorim joproporcional të forcës nga Policia e Shtetit. Kjo qasje represive nuk dëmton vetëm protestuesit, por cenon vetë të drejtën e qytetarëve për t’u organizuar, për të kundërshtuar dhe për të kërkuar llogaridhënie nga pushteti.

Njëkohësisht, kërkojmë lirimin e menjëhershëm të protestuesve të arrestuar për ushtrimin e të drejtës së tyre për protestë paqësore. Ndalimet arbitrare, masat penale, si edhe dhuna e ushtruar nga efektivët e policisë, persona civilë apo individë të paidentifikuar, nuk mund të përdoren si instrument frikësimi apo represioni ndaj qytetarëve që ushtrojnë të drejtat e tyre kushtetuese.

Po ashtu, shprehim shqetësim për informacionet mbi kontrollet e imtësishme dhe selektive të kryera në pikat doganore ndaj qytetarëve që janë nisur për t’iu bashkuar protestës së ditës së nesërme. Nëse këto veprime përdoren për të penguar pjesëmarrjen qytetare, ato përbëjnë një formë të papranueshme presioni dhe intimidimi ndaj qytetarëve që ushtrojnë të drejtat e tyre kushtetuese. Kërkojmë shpjegime publike dhe transparencë të plotë për këto veprime.

I bëjmë thirrje Policisë së Shtetit që në protestën e ditës së nesërme të distancohet qartë nga çdo akt dhune, nga çdo tolerim i personave të infiltruar dhe nga çdo veprim që synon provokimin apo përshkallëzimin e situatës. Detyra e Policisë së Shtetit është të garantojë sigurinë e qytetarëve dhe mbarëvajtjen e protestës, jo të nxisë tensione apo të përdorë forcën për të penguar ushtrimin e një të drejte kushtetuese.

Njëkohësisht, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që do t’i bashkohen protestës së nesërme ta mbrojnë karakterin paqësor të saj. Për më shumë se 35 ditë, kjo lëvizje qytetare ka protestuar në mënyrë paqësore, demokratike dhe europiane kundër një sistemi të korruptuar dhe të kapur. Çdo akt dhune, pavarësisht se nga kush provokohet, qoftë nga individë të infiltruar api provokatorë, do t’u shërbente vetëm atyre që kërkojnë të mbajnë të paprekur sistemin kriminal dhe të korruptuar ndaj të cilit protestojmë.

U bëjmë thirrje institucioneve shtetërore të respektojnë të drejtën kushtetuese për tubim paqësor dhe të garantojnë që asnjë qytetar të mos përballet me dhunë, frikësim apo ndëshkim për shkak të pjesëmarrjes në një protestë. Mbrojtja e kësaj të drejte është themel i një shoqërie demokratike dhe i shtetit të së drejtës.

Sot kërkojmë njëzëri: “Lironi çunat!”

Ndërkohë, ftojmë të gjithë qytetarët, pa dallim, t’i bashkohen protestës së nesërme në një mobilizim masiv, mbarëkombëtar dhe paqësor. Forca jonë buron nga pjesëmarrja qytetare, nga uniteti dhe nga vendosmëria për të mbrojtur demokracinë, shtetin e së drejtës dhe të ardhmen e vendit. Do të vazhdojmë të protestojmë paqësisht, si ditën e parë, për një Shqipëri të re, pa dhunë policore, pa represion shtetëror dhe pa një sistem kriminal e të korruptuar që sundon mbi interesin publik.

Njëri prej protestuesve të arrestuar shfaq probleme shëndetësore gjatë seancës, mbërrin ambulanca te Gjykata e Tiranës

Po zhvillohet në këto momenti gjyqi për 21 të arrestuarit, pas tensioneve me policinë dhe deputetët në protestën e të enjtes së kaluar para parlamentit.

Raportohet se një nga qytetarët, i cili vuan nga epilepsia ka shfaqur probleme shëndetësore dhe një autoambulancë ka hyrë me urgjencë në oborrin e gjykatës.

Ndërsa pritet që ai të transportohet me autoambulancë në spital për të marrë shërbimin e nevojshëm mjekësor.

I arrestuari i identifikuar si Niko Qarkaj pritet të transportohet me autoambulancë në spital për kujdesin e nevojshëm mjekësor.

Qytetarët mblidhen para Gjykatës së Tiranës, bëjnë thirrje për lirimin e 21 të arrestuarve

Protestues dhe aktivistë janë mbledhur paraditen e kësaj të diele para Gjykatës së Tiranës, ku kërkojnë lirimin e 21 qytetarëve të arrestuar gjatë protestës së zhvilluar pak ditë më parë para Kuvendit.

Gjykata e Tiranës pritet të shqyrtojë sot masat e sigurisë për të arrestuarit. Qytetarët janë mbledhur para Gjykatës së Tiranës në shenjë solidariteti me të arrestuarit, ndërsa presin vendimin që do të japë gjykata për masat e sigurisë. 

Prej arrestimeve, mbështetësit e protestuesve kanë zhvilluar disa grumbullime dhe kanë kërkuar vazhdimisht lirimin e tyre, duke protestuar fillimisht para Komisariatit nr. 3, ku ata u mbajtën të ndaluar.

Revoltën për arrestimin e 21 qytetetarëve, protestuesit e shprehën edhe në protestën e djeshme kombëtare që u zhvillua në kryeqytet. Pas gati 2 orësh fjalime, qytetarët marshuan si zakonisht rrugëve të kryeqytetit, por situata u tensionua te komisariati numër 3 në rrugën “Mine Peza”, aty ku mbahen protestuesit e arrestuar.

Rreth orës 23:45 ishte një grup qytetarësh, disa prej të cilëve të maskuar, që me gurë e shkopinj sulmuan komisariatin duke thyer xhamat.

Protestuesit e arrestuar janë në akuzë për 7 vepra penale, shkatërrim prone, kundërshtim i punonjësit të policisë, goditje për shkak të detyrës, prishje e rendit dhe qetësisë publike, organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme, mosbindje ndaj urdhrit të ligjshëm të policisë dhe pengim i qarkullimit të mjeteve.

Të arrestuarit për incidentet para Kuvendit janë:

Kujtim Pervataj
Romario Dushi
Ardit Ymaj
Niko Qarkaj
Ylli Shima
Ervis Gjoni
Frrok Bardhi
Rezart Pirani
Admir Tershalla
Alban Nikolli
Elvis Bici
Altin Hila
Ervin Gega
Arben Lleshaj
Everes Bardhi
Besard Kajmi
Aristotel Elezaj
Gentjan Progni
Durim Bami

Në protestën e 2 Korrikut, u hodhën vezë, gurë dhe sende të forta në drejtim të forcave të policisë, ndërsa efektivët përdorën gaz lotsjellës dhe ujë me presion për shpërndarjen e tyre.

Sot marshim tek Gjykata gjatë masave të sigurisë, në mbështetje të protestuesve të arrestuar para Parlamentit

Pas protestës madhështore të ditës së djeshme (4 korrik), sot organizatorët, aktivistët dhe qytetarët do të dalin përsëri në shesh në mbështetje të të rinjve të arrestuar më 2 korrik, gjatë seancës plenare të Kuvendi.

Ky marshim do të mbahet para Gjykatës Penale të Tiranës, (që ndodhet pranë SPAK), teksa priten të zhvillohen masat e sigurimit për të arrestuarit në protestë. Policia shoqëroi të paktën 18 persona mes të cilëve 9 i arrestoi. Kjo protestë do të solidarizohet në mbështetje të tyre, teksa organizatorët i cilësojnë arrestime të paligjshme.

Vetë organizatorët kanë paralajmëruar se protesta do të vijojë edhe të dielën. Ata kanë bërë thirrje për një marshim para Gjykatës së Tiranës në shenjë solidariteti me protestuesit e arrestuar, të cilët pritet të dalin para gjykatës në orën 09:00 për caktimin e masës së sigurisë.

Protesta e së shtunës erdhi pas tensioneve të shënuara të enjten para Parlamentit, ndërsa brenda zhvillohej seanca plenare. Protestuesit hodhën vezë, gurë dhe sende të forta në drejtim të forcave të policisë, ndërsa efektivët përdorën gaz lotsjellës dhe ujë me presion për shpërndarjen e tyre.

Pas përfundimit të seancës, protestuesit bllokuan daljet e Parlamentit, duke penguar largimin e deputetëve. Përplasjet vijuan më pas në disa rrugë të Tiranës. Sipas policisë, 18 persona u shoqëruan pas incidenteve, ndërsa të lënduar pati si mes protestuesve, ashtu edhe mes efektivëve të policisë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat