Mbyllet dita 40 e tubimit para Kryeministrisë, thirrje për rrëzimin e qeverisë: Të shtunën protestë kombëtare

Shqipëria

Mbyllet dita 40 e tubimit para Kryeministrisë, thirrje për rrëzimin e qeverisë: Të shtunën protestë kombëtare

Më: 9 korrik 2026 Në ora: 08:26 Përditësuar në ora: 19:09 më 09.07.2026
Pamje nga protesta

Protestat vijojnë të marrin mbështetje në BE

Sot protesta qytetare hyn në ditën e saj të 40-të, duke u kthyer në një nga lëvizjet më të gjata qytetare që ka njohur Shqipëria në vitet e fundit.

Për 40 ditë me radhë, qytetarët janë mbledhur çdo mbrëmje para Kryeministrisë me të njëjtat thirrje që dëgjohen që prej ditës së parë: “Rama në burg, Berisha në burg”, “Rama jep dorëheqjen” dhe “Shqipëri e Re”.

Vala e protestave masive që ka përfshirë Shqipërinë prej më shumë se një muaji kundër qeverisë së Edi Ramës ka gjetur një tjetër mbështetje të fuqishme në arenën ndërkombëtare, këtë herë direkt nga radhët e Parlamentit Evropian.

Eurodeputetja franceze Emma Fourreau, ka njoftuar përmes një postimi në rrjetin e saj social Instagram se po udhëton drejt Shqipërisë për t’iu bashkuar qytetarëve në shesh.

Përmes një mesazhi të qartë dhe të prerë, Fourreau ka deklaruar se qëllimi i vizitës së saj është përkrahja e asaj që tashmë po njihet ndërkombëtarisht si kryengritja mjedisore dhe politike e shqiptarëve. “Po nisem për në Shqipëri për të mbështetur revolucionin e flamingove rozë!” shkruan eurodeputetja, duke legjitimuar kauzën e qytetarëve në sy të opinionit evropian.

Më tej, zyrtarja e lartë e Parlamentit Evropian nuk i ka kursyer akuzat e rënda ndaj kryeministrit Edi Rama. “Prej më shumë se një muaji, populli shqiptar po ngrihet kundër projektit ekocid dhe korrupsionit të qeverisë socialiste të Edi Ramës,” nënvizon Fourreau në reagimin e saj.

Në mbyllje të mesazhit që ka bërë xhiron e rrjetit, eurodeputetja bëri thirrje për ndalimin e menjëhershëm të grabitjes së pasurive kombëtare të vendit, duke u rreshtuar hapur në krah të protestuesve që mbushin bulevardet çdo ditë. “Stop grabitjes së tokave dhe pasurive, mbështetje për shqiptarët dhe shqiptaret në luftë!” përfundon postimi i Emma Fourreau, duke i dhënë një goditje të fortë propagandës së mazhorancës në zyrat e Brukselit.

-----

Edhe mbrëmjen e djeshme, si në 38 ditët e tjera, pas tubimit para Kryeministrisë, protestuesit marshuan në rrugët e Tiranës, ndaluan para Kuvendit dhe më pas përpara selisë së Partisë Demokratike, ku brohoritën “Opozitë e shitur”, duke akuzuar opozitën se është bërë pjesë e të njëjtit sistem që qytetarët kërkojnë të rrëzojnë.

Në këto 40 ditë, podiumi i protestës është kthyer në një tribunë qytetare, ku çdo mbrëmje ngrihen shqetësime për korrupsionin, varfërinë, largimin masiv të të rinjve, gjendjen e shëndetësisë, arsimit dhe mënyrën se si përdoren paratë publike. Ditët e fundit, në qendër të kritikave ka qenë financimi me 4 milionë euro i koncertit të Kanye West, një vendim që protestuesit e kanë cilësuar simbol të shkëputjes së qeverisë nga problemet reale të qytetarëve.

Pavarësisht vapës, lodhjes dhe kalimit të javëve, pjesëmarrja në protestë nuk është ndërprerë asnjë ditë. Organizatorët këmbëngulin se kjo nuk është një protestë e partive politike, por një lëvizje qytetare që do të vazhdojë deri në arritjen e objektivave të saj.

Edhe sot, në ditën e 40-të, qytetarët pritet të rikthehen sërish para Kryeministrisë, me të njëjtin mesazh që ka shoqëruar protestën që prej 40 ditësh: Rama jep dorëheqjen!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat