​Rëndohet bilanci në aksidentin në autostradën Tiranë-Elbasan: Dy të vdekur dhe një i lënduar

Shqipëria

​Rëndohet bilanci në aksidentin në autostradën Tiranë-Elbasan: Dy të vdekur dhe një i lënduar

Më: 22 korrik 2026 Në ora: 17:51 Përditësuar në ora: 20:20 më 22.07.2026
Pamje nga vendi i ngjarjes

Policia reagon për aksidentin me dy viktima te rrethrrotullimi i TEG: Janë shtetas të huaj

Policia ka identifikuar dy viktimat e aksidentit të rëndë te rrethrrotullimi i TEG.

Bëhet fjalë për dy shtetas të huaj të cilët udhëtonin me betonieren, konkretisht Mohamed Lotf dhe Mohamed Ali, të cilët humbën jetën.

Njoftimi:

Tiranë/Informacion shtesë

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë më herët për aksidentin e ndodhur te rrethrrotullimi i TEG-ut, ju informojmë se janë identifikuar dy personat që udhëtonin në kamionin (pompë betoni) konkretisht shtetasit e huaj:
-M. L., rreth 30 vjeç, drejtuesi i kamionit, i cili humbi jetën në vendngjarje;
-M. A., rreth 44 vjeç, pasagjeri, i cili, pavarësisht ndihmës mjekësore, ka ndërruar jetë në spital.
Ndërkohë, drejtuesi i automjetit tjetër, shtetasi R. N., rreth 28 vjeç, ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.

Dy të vdekur dhe një i lënduar

Një aksident i rëndë ndodhi këtë pasdite në autostradën Tiranë-Elbasan, në afërsi të qendrës tregtare TEG.

Një betoniere ka rënë nga lartësia pasi është përplasur me “Audin”.

Nga aksidenti i rëndë kanë humbur jetën të dy personat që ndodheshin në betoniere, ndërsa ka mbetur i lënduar drejtuesi i “Audit”, i cili ndodhet në spital dhe sipas informacioneve paraprake është në gjendje stabile.

Raportohet se viktimat që ndodheshin në betoniere janë shtetas të huaj, të cilët kishin ardhur në vendin tonë me një kontratë pune.

Policia sqaron se pas përplasjes betonierja ka çarë barrierat metalike mbrojtëse të rrethrrotullimit dhe ka rënë në nivelin e poshtëm të aksit rrugor TEG–Elbasan, në drejtim të Elbasanit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat