Autori që vrau ish-vjehrrin liron ish-partneren, RENEA vijon negociatat për dorëzimin e tij

Shqipëria

Autori që vrau ish-vjehrrin liron ish-partneren, RENEA vijon negociatat për dorëzimin e tij

Më: 24 korrik 2026 Në ora: 08:35 Përditësuar në ora: 13:34 më 24.07.2026
Foto nga vendi i ngjarjes

Vrasja në Roskovec, drejtori i policisë Fier: Autori nuk pranon të dorëzohet, u bë i mundur lirimi i vajzës

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, Erion Ahmeti në një deklaratë për mediat ka zbuluar detaje lidhur me operacionin që po zhvillohet në fshatin Vidhisht pas vrasjes së 58-vjeçarit, Kosta Plaka nga 35-vjeçari Refit Buzi.

Pas vrasjes së ish-vjehrrit dhe plagosjes së ish-vjehrrës, autori është arratisur dhe ka marrë me vete ish-bashkëshorten e tij. Ahmeti ka njoftuar se është bërë i mundur lirimi i vajzës dhe është në spital jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë ai theksoi se po vijon puna për të bindur të riu që të dorëzohet.

“Sot, rreth orës 06:00, ndodhi një ngjarje e rëndë kriminale në fshatin Vidhisht, Roskovec, ku shtetasi R. B., 35 vjeç, vrau me armë gjahu, babanë e ish të dashurës së tij, plagosi nënën e saj, mori peng ish-të dashurën dhe u largua me automjet nga vendi i ngjarjes.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë shkuan në vendngjarje, rrethuan zonën, organizuan ndjekjen e autorit, ngritën pika kontrolli dhe koordinuan veprimet me të gjitha strukturat policore të angazhuara.

Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të autorit dhe dinamikës së ngjarjes, u kërkua ndërhyrja e Forcës Speciale “RENEA”.

Pas lokalizimit të autorit, shërbimet e Policisë e rrethuan atë dhe nisën negociatat, pasi ai kërcënonte se do të vriste veten dhe ish të dashurën, të cilën e mbante peng.

Falë profesionalizmit, qetësisë dhe veprimeve të mirëkoordinuara të efektivëve të Policisë, fillimisht u bë i mundur lirimi i shtetases që mbahej peng në automjet, kundër vullnetit të saj. Ajo u transportua menjëherë në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Negociatat me autorin vijojnë, me qëllim që ai të dorëzohet pa shkaktuar pasoja të tjera.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes, si dhe për sqarimin e të gjitha rrethanave dhe zbardhjen e motivit”, tha ai.

Vrau ish-vjehrrin dhe plagosi ish-vjehrrën, autori i krimit shpërthen në të qara: Më kanë marrë 730 mijë paund

Autori i dyshuar i krimit të rëndë në fshatin Vidhisht të Roskovecit, 35-vjeçari Refit Buzi, i cili vijon t’i shmanget policisë, ka pretenduar se humbja e një shume të madhe parash ka qenë shkaku i konfliktit me familjen e ish-partneres së tij.

Sipas burimeve, autori është shfaqur duke qarë dhe ka akuzuar familjarët e së resë se i kanë marrë kursimet që kishte fituar gjatë emigrimit.

Ndërkoha zona vijon të jetë e rrethuar me forca të shumta policie përfshirë edhe ato të RENEA-s.

“Ata ma kanë bërë, më kanë marrë 730 mijë paund”, raportohet të jetë shprehur ai.

Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të së premtes në fshatin Vidhisht, ku 35-vjeçari shkoi i armatosur në banesën e familjes së ish-partneres. Ai qëlloi me armë gjahu ndaj prindërve të saj, duke i marrë jetën 55-vjeçarit Arben Plaka dhe duke plagosur bashkëshorten e tij, Belere Plaka. Menjëherë pas krimit, autori rrëmbeu ish-partneren dhe u largua me automjet.

Pas disa orësh kërkime dhe rrethimit të zonës nga forcat speciale RENEA, 24-vjeçarja u la e lirë, ndërsa autori u largua dhe vijon të jetë në arrati. Më herët gjatë ditës, familjarët e viktimës deklaruan se krimi kishte qenë i paralajmëruar, duke pretenduar se 35-vjeçari kishte kërcënuar vazhdimisht ish-partneren dhe familjen e saj.

Ndërkohë, operacioni për kapjen e tij vazhdon. Forca të shumta të Policisë së Shtetit, efektivë të Forcës së Posaçme Operacionale, RENEA-s, FNSH-së dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Fier kanë përqendruar kontrollet në fshatin Çerven, në kufi me Mallakastrën, pranë fshatit Drenie.

U mor peng nga ish burri pas krimit në familje, 35-vjeçari liron ish partneren! Policia po negocion për dorëzimin e tij

Refit Buzi, 35-vjeçari që mori peng ish partneren e tij Rozalinda Plaka, ka liruar 24-vjeçaren disa orë pas krimit të rëndë në familjen e saj. Ndërkohë Policia dhe forcat RENEA, pasi e kanë rrethuar autorin, po negociojnë për dorëzimin e tij.

Sipas informacioneve, çifti kishin kohë të ndarë ndërsa ai ishte arrestuar disa herë për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme ndaj familjes së të resë. Sipas të afërmve, ai e kishte kërcënuar 24-vjeçaren edhe me armë në Tiranë.

Ngjarja e rëndë u shënua mëngjesin e kësaj të premteje në fshatin Vidhisht të Roskovecit.

Vrau ish vjehrrin dhe mori peng ish partneren, RENEA rrethon zonën ku dyshohet se fshihet autori!

Forcat RENEA kanë rrethuar zonën ku dyshohet se fshihet 35-vjeçari Refit Buzi, autori i dyshuar i ngjarjes së rëndë në fshatin Vidhisht të Roskovecit.

Buzi vrau me armë gjahu ish-vjehrrin e tij, Kosta Plaka, plagosi ish-vjehrrën Belere Plaka dhe më pas mori me forcë ish-partneren Rozalinda Plaka duke u larguar nga vendngjarja bashkë me armë me të cilën kreu krimin e rëndë.

Policia ka nisur një operacion të gjerë për kapjen e tij, ndërsa forcat speciale RENEA janë angazhuar për lokalizimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar.

Sipas informacioneve, 35-vjeçari kishte pasur konflikte të mëparshme me familjen e ish-bashkëshortes dhe ndaj tij kishte pasur denoncime për kërcënime.

Vrau ish vjehrrin dhe mori me forcë ish gruan, ky është autori i krimit në Roskovec!

 

Ky është 35-vjeçari Refit Buzi, i cili qëlloi për vdekje me armë gjahu ish vjehrrin e tij, Kosta Plaka, plagosi ish vjehrrën Belere Plaka dhe më pas mori me forcë ish gruan e tij duke u larguar me makinë.

Sipas informacioneve, Buzi kishte marrë edhe disa vite më parë peng një tjetër person.

Autori mësohet se është gjithashtu fqinj me familjen Plaku në fshatin Vidhisht të Roskovecit, ku ndodhi ngjarja e rëndë.

Familjarët tregojnë se ai ishte arrestuar disa herë për shkak të kërcënimeve ndaj tyre. Sipas tyre, ai kishte kërcënuar edhe vajzën me armë zjarri.

“Hajdeni se do t’ju vras të gjithëve”/ Vrasja e 58-vjeçarit në Roskovec, flet vëllai i viktimës

Një ngjarje e rëndë me një viktimë dhe një të plagosur ka ndodhur mëngjesin e kësaj të premteje në fshatin Vidhisht, në Roskovec.

Një 35-vjeçar dyshohet se ka vrarë me armë gjahu ish-vjehrrin e tij, 58 vjeç, si dhe ka plagosur ish-vjehrrën, e cila ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.

Pas krimit, autori i dyshuar është larguar nga vendngjarja me automjet, së bashku me ish-bashkëshorten e tij të cilën e mori peng, duke marrë me vete edhe armën e gjahut.

“Dëgjuam një zhurmë, që bërtisnin brenda. Ai thoshte: “Hajdeni se do t’ju vras të gjithëve.” Pastaj njoftuam policinë dhe ajo erdhi. Ai ishte i armatosur. Doli nga mbrapa shtëpisë, nga dritarja. Kishte lënë makinën. Mori edhe vajzën dhe iku. Është arrestuar tri herë dhe më pas ka dalë.

Vajti në Tiranë për armë, e futën brenda dhe e nxorën pas një muaji. Këtu ishte në arrest shtëpie, sepse kërcënonte. I thoshte vajzës: “Ti nuk e bën jetën pa mua. Unë do t’ju vras të gjithëve.” Vrasja ishte e paramenduar. Kur vajta brenda, i gjeta të dy të shtrirë”, u shpreh vëllai i viktimës në Roskovec.

Vrau ish-vjehrrin dhe plagosi ish-vjehrrën, kushëriri i viktimës në Roskovec: Autori ishte në arrest shtëpie

Një ngjarje e rëndë me një viktimë dhe një të plagosur ka ndodhur mëngjesin e kësaj të premteje në fshatin Vidhisht, në Roskovec.

Një 35-vjeçar dyshohet se ka vrarë me armë gjahu ish-vjehrrin e tij, 58 vjeç, si dhe ka plagosur ish-vjehrrën, e cila ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.

Pas krimit, autori i dyshuar është larguar nga vendngjarja me automjet, së bashku me ish-bashkëshorten e tij të cilën e mori peng, duke marrë me vete edhe armën e gjahut.

“Çifti ishin të dashuruar, por familjes sikur nuk i pëlqente muhabeti. Familjet nuk pranonin. Ai ka qenë në arrest shtëpie. Ish-dhëndri ka pasur problemet e tij. Ndihemi shumë keq. Gocën e ka marrë me vete. Familja e vajzës e kishte denoncuar edhe më pare”, u shpreh një nga kushërinjt e viktimës.

Vrau me armë gjahu ish vjehrrin dhe mori peng ish gruan, Policia jep detaje

Policia ka dhënë detaje në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur mëngjesin e kësaj të premteje në fshatin Vidhisht të Roskovecit.

35-vjeçari Refit Buzi ka qëlluar për vdekje ish vjehrrin e 58-vjeçarin Kosta Plaka si dhe ka plagosur edhe gruan e tij 55-vjeçare Belere Plaka.

Policia bën me dije gjithashtu se autori ka marrë më pas ish bashkëshorten dhe është larguar me makinë, duke marrë edhe armën e gjahut.

E plagosura është dërguar në spital, ndërkohë që policia është vënë në ndjekje të autorit të krimit. Ende nuk dihen rrethanat e plota të ngjarjes.

Njoftimi i Policisë:

Rreth orës 06:00, në fshatin Vidhisht, Roskovec, dyshohet se shtetasi R. B., 35 vjeç, ka vrarë me armë gjahu ish-vjehrrin e tij, shtetasin K. P., 58 vjeç, si dhe ka plagosur ish-vjehrrën e tij, shtetasen B. P., rreth 55 vjeçe, e cila ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, kanë ngritur pika kontrolli dhe janë vënë në ndjekje për kapjen e autorit të dyshuar. Vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se, pas ngjarjes, autori është larguar nga vendi i ngjarjes me automjet, së bashku me ish-bashkëshorten e tij, shtetasen R. P., duke marrë me vete edhe armën e gjahut.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat