“Shqipëria kërkon revolucion!”- Përfundon protesta e 60-të kundër qeverisë, qytetarët pas dy muajsh qëndresë: Nesër më shumë! Rama jep dorëheqjen
Pas dy muajsh protestash të përditshme, qytetarët kanë mbyllur mbrëmjen e sotme protestën e 60-të kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, duke përsëritur thirrjet për dorëheqjen e tij.
Protesta e radhës u shoqërua si çdo natë me marshim nëpër rrugët e Tiranës, ku pjesëmarrësit mbajtën pankarta dhe brohoritën kundër qeverisë, ndërsa në fund të tubimit organizatorët bënë thirrje për vijimin e rezistencës edhe në ditët në vijim.
“Shqipëria kërkon revolucion!”, ishte një prej thirrjeve të dëgjuara gjatë protestës, ndërsa qytetarët përsëritën edhe sloganin: “Rama jep dorëheqjen!”
Në përfundim të tubimit, nga sheshi para kryeministrisë u bë thirrje që qytetarët të rikthehen sërish në shesh ditën e nesërme, me mesazhin: “Nesër më shumë!”
Prej 60 ditësh, protestuesit vijojnë të kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore, ndërsa kanë deklaruar se nuk do të tërhiqen deri në plotësimin e kërkesës së tyre kryesore, dorëheqjen e Edi Ramës.
Dita e 60-të e protestës popullore, qytetarët mesazh të gdhendur Ramës në bulevard: Shqipëria nuk është në shitje!
Protesta popullore e ditës së 60-të të qytetarëve shqiptarë kundër keqqeverisjes, kryeministrit Edi Rama dhe sistemit politik ka lënë edhe detajet pikante të saj sikurse çdo tubim i mëparshëm.
Mbrëmjen e sotme, nga bulevardi pranë Kryeministrisë, qytetarët i lanë një tjetër mesazh të gdhendur Ramës:
“Shqipëria nuk është në shitje!”.
Me këtë parullë gjigande mbi pllaka, ata i kujtuan kryeministrit se Atdheu nuk është pronë private që jepet me firma mbi letra e ligje.
Nën thirrjet “Ju erdhi fundi”, “Shqipëria kërkon revolucion”, “Arrestoni Ramën”, “Diaspora zemra e Shqipërisë”, “Ndryshim sistemi”, ata vijuan marshimin e tyre të përnatshëm në rrugët e Tiranës.
“Nesër më shumë, nis muaji i tretë i protestës”- Qytetarët marshojnë rrugëve të Tiranës pas protestës së 60-të: Rama jepe dorëheqjen! Ju erdhi fundi
Dita e 60-të e protestës, qytetarët mbyllin tubimin me thirrjen: “Nesër më shumë, nis muaji i tretë dhe numërimi mbrapsht” për Ramën
Dita e 60-të e protestës popullore dhe rezistencës së qytetarëve shqiptarë është mbyllur me një mesazh të fortë drejtuar kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij: “Nesër më shumë, nis muaji i tretë dhe numërimi mbrapsht”.
Pas fjalimeve të qytetarëve dhe aktivistëve të mbajtur para Kryeministrisë, protesta vijoi me marshimin tradicional të përnatshëm në bulevard, ku mijëra qytetarë përcollën mesazhet e tyre për ndryshim politik.
Gjatë marshimit u dëgjuan thirrje të shumta si: “Shqipëria kërkon revolucion”, “Ju erdhi fundi”, “Rama, jep dorëheqjen”, “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Arrestoni Ramën”.
Protestuesit kërkuan ndryshim të sistemit politik dhe vazhdim të rezistencës deri në realizimin e kërkesave të tyre, duke paralajmëruar se tubimet do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim.
Me hyrjen në muajin e tretë të protestave, qytetarët deklaruan se mobilizimi do të jetë edhe më i madh, ndërsa mesazhi i përcjellë nga bulevardi ishte ai i një përballjeje të vazhdueshme me qeverinë aktuale.
“Të largohet pa ardhur shtatori!”- Protestuesi paralajmëron Ramën: Nga nesër nis numërimi mbrapsht, ik në mënyrë paqësore
Një protestues ka deklaruar gjatë tubimit të 60-të kundër qeverisë se nga dita e nesërme nis “numërimi mbrapsht” për kryeministrin Edi Rama, duke i bërë thirrje të largohet nga posti përpara muajit shtator.
Në fjalën e tij, qytetari tha se protesta hyn në muajin e tretë të qëndresës së përditshme, ndërsa paralajmëroi kryeministrin që të largohet në mënyrë paqësore.
“Nesër, përveç se është dita e parë e muajit të tretë që protestojmë çdo ditë me radhë, do të fillojë edhe numërimi mbrapsht për Edi Ramën. Nëse nuk e ka kuptuar, i themi të largohet pa ardhur shtatori”, u shpreh protestuesi.
Sipas tij, nëse Rama nuk largohet para shtatorit, situata do të përshkallëzohet.
“Po erdhi shtatori, largimi i tij do të jetë siç ai nuk e imagjinon. Të largohet në mënyrë paqësore para shtatorit”, deklaroi ai.
“Edhe sa nëna dhe fëmijë do vdesin?”- Protestuesja akuza qeverisë nga protesta: Mos u dorëzohuni derisa ta largojmë Ramën nga pushteti!
Në ditën e 60-të të protestës popullore, qytetarët dhe aktivistët nuk i ndaluan fjalimet e tyre ku bënë apel për rezistencë të vazhdueshme deri në plotësimin e kërkesave kryesore, si dorëheqja e qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, si dhe ndryshimi i sistemit politik.
Një nga qytetaret në fjalimin e saj në podiumin para Kryeministrisë, denoncoi gjendjen skandaloze të reparteve zjarrfikëse, që solli edhe tragjedinë e Shkodrës ditën e sotme, ku humbi jetën në zjarr një nënë e re me dy fëmijë të mitur.
“Edhe sa fëmijë e nëna do humbin jetën? Na ka ardh shpirti në maj të hundës. Po vriten nëna, po vriten fëmijë. Nuk ka një zjarrfikëse, nuk ka një makinë për të shuar zjarrin. Ju lutem mos u dorëzoni, bashkohuni. Nuk ka shtet, këtu ka pushtet, të vrasin”, tha ajo.
Qytetarja akuzoi qeverinë dhe kryeministrin se mban pushtetin me forcë dhe me një grup hajdutësh. Ndërsa apeloi për qëndresë deri në fund, pasi tani qytetarët shqiptarë e kanë vrarë frikën.
“Na dhunuan te Parlamenti, me një tufë palaçosh, me një tufë hajdutash. Ku është SPAK-u? Tani nuk kam frikë, nuk do trembem. Çohuni shqiptarë, çfarë keni dhe çfarë s’keni, për hatër të fëmijëve çohuni. Çohuni për jetën tuaj. Ky sistem po i detyron shqiptarët të largohen. Sa fëmijë janë rrugës, sa fëmijë janë në jetimore. E patë në Durrës se si e nxorën në rrugë atë burrin atje ambulanca, se ishte endacak”, tha ajo më tej.
Në fund ajo deklaroi se protestuesit nuk do largohen deri në rrëzimin e qeverisë:
“Nuk do ndalemi derisa ta largojmë Ramën nga pushteti”.
“Dy muaj rezistencë vetëm për një qëllim”- Aktivistja Lleshi: Protesta tregoi se jemi të bashkuar për largimin e Ramës, dorëhiqu!
Në ditën e 60-të të protestës popullore nga sheshi para Kryeministrisë, ka folur edhe aktivistja Arvina Lleshi, e cila hapi tubimin në podium para se të këndohej himni kombëtar.
Ajo vuri në dukje se qytetarët nuk janë dorëzuar, në dy muaj rezistentë historike dhe me kërkesën e tyre për largimin e Edi Ramës si qëllimi kryesor.
“Janë 60 ditë qëndresë dhe rezistencë që kërkojmë dorëheqjen e Edi Ramës. Prej dy muajsh kemi treguar se jemi të fortë dhe rezistentë për një qëllim: Dorëheqjen e Edi Ramës”, tha ajo.
Më tej Lleshi theksoi se ata janë të bashkuar dhe pa frikë, të palëkundur dhe më të shumtë.
“Kjo protestë tregoi se sa të bashkuar jemi. I kërkojmë Edi Ramës dorëheqjen”, tha ajo.
Aktivisti thirrje nga sheshi: Hulumtimi zbuloi krimet e kryeministrit me ndërtimet në bregdet, janë afera gjigante!
Protesta e ditës së 60-të para kryeministrisë sot kushtroi nga thirrjet edhe për hetimin e Edi Ramës nga SPAK-u për lejet e ndërtimit që ka lëshuar me KKT-të në zonën bregdetare, hulumtim më i fundit i medias.
Një nga aktivistët që mori fjalën në podium i kushtoi vëmendje pikërisht kësaj ngjarjeje, duke apeluar për drejtësinë që jo vetëm të hetonte këtë skandal të kryeministrit, por edhe ta arrestonte.
“Falenderoj gazetarët për hulumtimin e tyre për lejet e dhëna në bregdetin shqiptar për ndërtimet, të lëshuara nga Rama në KKT. Thirrje për SPAK-un, provë ulëritëse dhe mjafton vetëm kjo për të arrestuar Ramën. Janë afera gjigante të kësaj qeverie, afera ulëritëse. I bëj thirrje SPAK-ut të mos mbyllë sytë dhe të veprojë. Ne nuk do shkojmë me pushime dhe as SPAK mos të shkojë me pushime por të hetojë Ramën he te hulumtojë”, tha aktivisti.
Më tej ai deklaroi se jo vetëm ligji për investimet strategjike dhe lejet duhet të anuloheshin, por edhe të ngriheshin vepra penale dhe të bëheshin arrestime të personave përgjegjës.
“Jo vetëm ligji duhet të anulohet, për investimet strategjike, por për këto vepra penale SPAK të arrestojë Ramën. Për projektet e Zvërnecit dhe Rrjollit kemi shumë dritëhije. Edhe pse kemi 2 muaj që protestojmë ende nuk janë zbardhur lejet. A nuk mjaftojnë këto që SPAK të mos e marrë të pandehur këtë kryeministër, a nuk mjaftojnë këto hulumtime të mos arrestojnë Ramën. Arrestoni Ramën”, përfundoi ai thirrjen e tij para protestuesve në shesh.
Dita e 60-të e tubimit në kryeqytet, protestuesit grumbullohen në bulevard, nisin fjalimet para Kryeministrisë
Protesta në kryeqytet ka vijuar edhe këtë të mërkurë, duke shënuar ditën e 60-të radhazi të tubimit të qytetarëve.
Ashtu si në ditët e mëparshme, protestuesit u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, për të marshuar më pas drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Aktori Mehdi Malkaj deklaroi se Rama tashmë është një ish-kryeministër sepse populli po e largon pasi ka vjedhur edhe jetën e foshnjave.
“Nuk bëhet kontratë me gjarpërinjtë dhe hardhucat. Jemi në një kohë të vështirë, por heroike. Unë nuk hjam njeriu më i mençur, por e dua Shqipërinë.
Këtu nuk mungon asgjë, i kemi të gjitha, por nuk jemi ne mirë, të ishin ne mirë e kishim marrë para me këngë dhe valle.
Ky nuk është kryeministër, është ish-kryeminiatër për mua, e hoqëm me shkelma sepse vodhi edhe jetën e foshnjave ende pa lindur. Nuk ka lënë gjë pa vrarë.
Na duhet ky grushti i madh i Migjenit. Unë mbaj përgjegjësi vetëm për veten time.
Artistët kur është puna për ballo me Ramën i ke atje”, tha ai.
Dy muaj revoltë ndaj qeverisë/ Protesta qytetare sot në ditën e 60-të, protestuesit marshojnë për te Kryeministria
Sot shënohen 60 ditë, ose plot 2 muaj, që nga nisja e protestës qytetare kundër qeverisë, ndërsa mobilizimi po vijon edhe këtë të mërkurë në Tiranë.
Qindra qytetarë janë mbledhur në Sheshin “Skënderbej”, nga ku kanë nisur marshimin drejt godinës së Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Gjatë marshimit, protestuesit brohorasin thirrje kundër qeverisë, ndërsa para Kryeministrisë pritet të nisë tubimi me fjalime dhe denoncime për situatën politike në vend.
Me pankarta dhe flamuj kombëtarë, pjesëmarrësit kanë deklaruar se, edhe pas 60 ditësh ose dy muajsh protestë të pandërprerë, do ta vazhdojnë qëndresën deri në realizimin e kërkesës së tyre për largimin e kryeministrit Rama.
Mbahet sot protesta e 60-të kundër Ramës, nis grumbullimi i qytetarëve në Sheshin Skënderbej
Ka nisur grumbullimi i qytetarëve në Sheshin Skënderbej, ku do të zhvillohet protesta e 60-të kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
Pas mbledhjes në shesh, protestuesit pritet të marshojnë drejt Kryeministrisë, siç kanë bërë çdo mbrëmje gjatë dy muajve të fundit të protestës.
Tubimi vjen në ditën kur protesta antiqeveritare shënon 60 ditë nga nisja e saj, ndërsa organizatorët kanë deklaruar se do të vijojnë mobilizimin deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.