“Jepe dorëheqjen!”/ Protestuesit rikthehen në bulevard pas marshimit në disa rrugë të Tiranës, mbyllet protesta e 62: Nesër për Shqipërinë, jo për partinë!

Shqipëria

“Jepe dorëheqjen!”/ Protestuesit rikthehen në bulevard pas marshimit në disa rrugë të Tiranës, mbyllet protesta e 62: Nesër për Shqipërinë, jo për partinë!

Më: 31 korrik 2026 Në ora: 19:34 Përditësuar në ora: 23:01 më 31.07.2026
Pankarta nga protesta

Mbyllet protesta e 62: Nesër për Shqipërinë, jo për partinë!

Pas disa orësh marshimi në rrugët kryesore të Tiranës, protestuesit janë rikthyer sërish në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke vijuar tubimin e tyre kundër qeverisë ku njoftuan dhe mbylljen e tubimit per sot.

Gjatë rikthimit në bulevard, qytetarët kanë përsëritur thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa kanë shprehur kritika edhe ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.

Ndër sloganet e dëgjuara gjatë protestës kanë qenë “Rama në burg, Berisha në burg”, si dhe thirrje të tjera kundër klasës politike.

Protesta e sotme shënon ditën e 62-të të mobilizimit qytetar, ndërsa organizatorët kanë deklaruar se do të vijojnë marshimet dhe tubimet në ditët në vijim.

Protestuesi mesazh Ramës: Ky shesh s’ta pranon besën! Qytetarë të bashkive që ‘shkrihen’, na u bashkoni!

Një qytetar ka marrë fjalën gjatë protestës para Kryeministrisë, e cila ka hyrë në ditën e 62-të, duke bërë thirrje për reagim qytetar dhe ndryshim politik.

Ai iu drejtua kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar dorëheqjen e tij dhe duke deklaruar se, sipas tij, qeveria nuk ka përmbushur detyrimet ndaj qytetarëve.

“Ky shesh nuk ta pranon besën, se nuk e ke zbatuar detyrën me Shqipërinë. Zbato pikën e parë të kërkesës, jep dorëheqjen”, u shpreh qytetari.

Më tej, ai u bëri apel qytetarëve që t’i bashkohen protestës dhe të shprehin pakënaqësitë e tyre.

“I bëj thirrje qytetarëve që rrezikojnë të shuhen, të vijnë këtu në shesh, të ngrenë zërin dhe t’i bashkohen kësaj proteste, kësaj historie”, tha ai.

“Për 36 vite kemi duruar dhunën e tyre, mjaft më”- Gazetari Osman Stafa: Mos u frikësoni nga presionet dhe propaganda e të dështuarve! Demokratë e socialistë hajdeni në shesh, rezistoni

Gazetari Osman Stafa denoncoi nga sheshi i protestës qytetare në ditën e saj të 62-të se shqiptarët kanë përjetuar 36 vite dhunë të egër të qeverive dhe politikës dhe tani është koha për të thënë mjaft dhe për të ndërtuar Shqipërinë e re.

Ai apeloi për të gjithë qytetarët që të rezistonin, të mos kishin frikë dhe që të qëndronin të bashkuar, duke mos u trembur nga presioni dhe propaganda e qeverisë.

“Jemi këtu në sheshin më të bukur që ka parë historia e Shqipërisë. Edhe për ju që dëgjoni nga televizori.  Këtë ujë 36 vite i qelbur a po e pini? Kjo politikë 36 vjeçare a ju shërben juve më, a i shërben shqiptarëve? Shqiptarë të nderuar ju që keni duruar për 36 vite dhe fëmijët tuaja që kanë emigruar dhe kanë ikur në emigrim a e bëni përgjegjëse këtë politikë? 36 vite politikë nuk ju shërben më sepse po ta pini atë ujë ju vdes, ju shfaq sëmundje. Ndaj mbajeni këtë shpresë, është beteja jonë e fundit, mjaft më, boll keni duruar, të luftojmë për veten tonë”, tha ai mes të tjerash.

Stafa i bëri thirrje edhe socialistëve të ndershëm që ta braktisnin një herë të vetme liderin e tyre Rama për hir të Shqipërisë.

Të njëjtën thirrje ai ia drejtoi edhe demokratëve, duke nënvizuar se PD nuk e ka më fuqinë për të rrëzuar këtë qeveri të korruptuar.

“Qytetarë të nderuar, ju që e ndiqni nga shtëpia, ju socialist që jeni të ndershëm, harrojeni njëherë partinë tuaj dhe shikoni Shqipërinë, se nuk ka atdhe të bukur se Shqipëria. Harrojeni, lëreni një herë liderin tuaj, 4 mandate çfarë ka ndryshuar në Shqipëri. Ju demokratë të PD, partia juaj nuk e mund dot këtë të keqe. Bashkohuni në këtë shesh me ne”, tha ai.

Gazetari iu përgjigj edhe deklaratave të qeverisë për akuzat e dhunës së protestuesve nga veza e domatja.

“Flasin për dhunën e frikësuar nga disa vezë e domate. Po ajo dhunë ndaj pensionistëve me pensione qesharake që nuk mbyllin dot muajin, po të mos jetë për fëmijët e tyre nuk ia dalin dot, ata duan dhunë më të fortë se kjo. A ka dhunë më të egër se të lësh spitalet pa ilaçe, apo nënat me fëmijë jetimë t’i lësh me 30 mijë lekë në muaj, a ka dhunë më të egër t’i lësh bujqit pa lekë se këta i marrin lekët e IPARD për veten dhe familjet e tyre. Vezët i keni pak! Fëmijët e tyre këta i çojnë jashtë, shkollat në fshatra kanë marrë fund. I kanë larguar fëmijët e këtij vendi, fëmijët tuaj, të ardhmen tonë. Fatkeqësi e madhe në Shqipëri. Të moshuarit po vdesin të vetmuar, për shkak të shpopullimit dhe vdekjes së shpresës në këtë vend. A mund të durohet kjo dhunë”, u shpreh ai.

Stafa apeloi që qytetarët ta vrisnin frikën dhe të qëndronin në shesh të bashkuar përballë presionit, ashtu sikurse bënë dikur Isa Boletini dhe Çerçiz Topulli. Ndërsa shprehu bindjen se motori i protestës, diaspora, do ishte në shesh deri në fund.

“Të vijë shtatori, mos u frikësoni nga presioni që po u bëjnë qytetarëve. Mos u frikësoni, duhet të duroni. Isa Boletini nuk kishte frikë nga plumbat, Çerçiz Topulli dha jetën e tij për Shqipërinë, Ky popull s’duhet të ketë frikë nga presionet e këtyre të dështuarve. Diaspora duhet të jetë në Shqipëri, është motori i kësaj proteste. Mos u demoralizoni nga ajo që po bëjnë, propagandë, jemi më të fuqishëm se kurrë, më të fortë se kurrë, ndaj qëndroni për familjet tuaja, për të ardhmen tonë”, deklaroi Stafa.

“Kush e heton peshkun e madh?”- Protestuesit ironizojnë lirimin e Ilir Beqajt: Vjedh në spitale, mbrohet në pallate!

Protestuesit që prej 62 ditësh dalin në shesh kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama kanë përcjellë edhe këtë mbrëmje mesazhe përmes pankartave, ku një pjesë e tyre iu referuan zhvillimeve të fundit në çështjen e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Një nga pankartat kryesore ironizonte vendimin e GJKKO-së për zëvendësimin e masës së sigurisë ndaj Beqajt nga arrest me burg në arrest shtëpie.

“I fshiu paratë e shëndetësisë me sterilizim. Tani fshin shtëpinë me regjim! Vjedh në spitale, mbrohet në pallate”, shkruhej në pankartë.

“Peshku i madh ha të voglin. Po peshkun e madh kush e heton? Të mëdhenjtë nuk janë mbi ligjin. Llogaridhënie për të gjithë! SPAK heton. Qytetarët presin përgjigje”, thuhej në një tjetër mesazh të protestuesve.

Në tubimin e 62 nuk munguan as pankartat në anglisht, ku njëra prej tyre ironizonte etiketimet e mëparshme të protestuesve si “korba” nga kryeministri Edi Rama.

Lajmin e plotë mund ta lexoni këtu!

LIVE: Protesta anti-Rama hyn në ditën e 62-të/ Qytetarët nisin grumbullimin në sheshin “Skënderbej”

Protesta qytetare në Tiranë ka hyrë sot në ditën e saj të 62-të, ndërsa organizatorët dhe pjesëmarrësit vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe anulimin e ligjit për zonat e mbrojtura.

Qytetarët janë mbledhur sërish në Sheshin “Skënderbej”, prej nga pritet të nisë marshimi drejt godinës së Kryeministrisë, në vazhdën e protestave të përditshme kundër qeverisë.

Organizatorët kanë deklaruar se kërkesa për largimin e kryeministrit mbetet e panegociueshme, duke theksuar se protesta do të vijojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Pas marshimit drejt Kryeministrisë, pritet të zhvillohen fjalime nga përfaqësuesit e organizimit të protestës, por edhe nga qytetarë pjesëmarrës, të cilët do të shprehin qëndrimet dhe shqetësimet e tyre.

Protesta, e cila ka vazhduar për më shumë se dy muaj në kryeqytet, është shoqëruar me kërkesa për ndryshime politike dhe kundërshtime ndaj vendimeve të qeverisë, veçanërisht sa i takon menaxhimit të zonave të mbrojtura.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat