Shqiptarët në protestë për 69-të ditë, mbyllet marshimi! Qytetarët rikthehen poshtë zyrës së Ramës: Jep dorëheqjen!

Shqipëria

Shqiptarët në protestë për 69-të ditë, mbyllet marshimi! Qytetarët rikthehen poshtë zyrës së Ramës: Jep dorëheqjen!

Më: 7 gusht 2026 Në ora: 20:03 Përditësuar në ora: 22:32 më 07.08.2026
Pamje nga protesta

Shqiptarët në protestë për 69-të ditë, mbyllet marshimi!

Pas marshimit në rrugët e Tiranës, qytetarët që prej 69 ditësh vijojnë protestën kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama janë rikthyer sërish para godinës së Kryeministrisë, aty ku edhe përfundoi tubimi i radhës.

Protestuesit marshuan nga zona pranë Kryeministrisë drejt rrugës së Elbasanit, duke përshkuar një pejsë të Unazës në krah të kundërt, ndërsa gjatë gjithë rrugës shoqëruan lëvizjen e tyre me thirrje kundër qeverisë.

Në përfundim të marshimit, qytetarët u rikthyen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara zyrës së kryeministrit, ku përsëritën kërkesën e tyre kryesore: “Edi Rama, jep dorëheqjen!”

Protesta u mbyll me thirrjet e përditshme të qytetarëve: “Nesër më shumë!” për t’u bashkuar sërish nesër në shesh.

Qëndresa qytetare kundër qeverisë vijon prej 69 ditësh, me protestuesit që deklarojnë se do të vijojnë tubimet deri në realizimin e kërkesave të tyre, ku kryesorja është dorëheqja e Edi Ramës.

Rezistenca për largimin e Edi Ramës dhe qeverisë, qytetarët marshojnë nëpër Tiranë

Qytetarët kanë vijuar protestën kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, duke zhvilluar marshimin e radhës në rrugët e Tiranës, në kuadër të rezistencës së nisur prej 69 ditësh.

Me pankarta në duar dhe thirrje kundër qeverisë, protestuesit janë zhvendosur nëpër rrugët kryesore të kryeqytetit, duke përsëritur kërkesën e tyre për dorëheqjen e kryeministrit dhe largimin e kabinetit qeveritar.

Gjatë marshimit, qytetarët kanë brohoritur njëzëri thirrjet siç ditë të protestës,  “Dorëheqje!” “Edi Rama, jep dorëheqjen!”, “Ju erdhi fundi!”, e të tjera.

Protestuesit kanë deklaruar se do të vijojnë qëndrimin e tyre në shesh, deri në largimin e kryeministrit nga detyra.

“Nuk largohemi pa dorëheqjen e kryeministrit!” – Aktivisti: Rama nuk e kap dot ritmin tonë, propaganda e tij po dështon!

Një aktivist nga protesta e 69-të kundër qeverisë deklaroi se qytetarët janë më të shumtë dhe më të vendosur për të vijuar qëndresën deri në largimin e kryeministrit Edi Rama.

Sipas aktivistit, protesta për 69 ditë ka përmbysur makinerinë propagandistike të qeverisë dhe “ka detyruar Edi Ramën të ndjekë protestën dhe të rreket të kapë ritmin, që e ka humbur dhe nuk do e kapë kurrë”.

Ai tha se, pavarësisht përpjekjeve për t’i intimiduar protestuesit, protesta ka vijuar dhe kërkesa mbetet dorëheqja e kryeministrit dhe qeverisë.

“Nëse gjuhë urrejtjeje është të përbuzësh korrupsionin, ne nuk do të ndalojmë së përbuzuri korrupsionin. Nëse gjuhë urrejtjeje është që të kërkosh largimin e qeverisë më të korruptuar në Evropë, ne nuk do të ndalojmë derisa kjo qeveri të largohet”, u shpreh ai.

Aktivisti: Sot jemi më shumë se dje dhe dukemi më të vendosur që të vazhdojmë të rezistojmë, të mos largohemi pa larguar Edi Ramën. Më vjen mirë se, për 69 ditë, kjo rezistencë qytetare, pa dyshim, është shndërruar në lokomotivën e zhvillimeve politike në Shqipëri dhe kudo ku ka shqiptarë.

Nëse për 13 vite ishim mësuar që çdo ditë të ndiqnim ato që na servirte pushteti i Edi Ramës, për 69 ditë e kemi përmbysur këtë makineri propagandistike dhe e kemi detyruar Edi Ramën të ndjekë protestën dhe të rreket të kapë ritmin, që duhet që e ka humbur dhe nuk do e kapë kurrë. Në këtë përpjekje do të rrëzohet dhe do të largohet.

Për 69 ditë janë munduar të na imponojnë, të na intimidojnë, por nuk ia kanë dalë, sepse kjo protestë po reziston dhe po kërkon dorëheqjen e panegociueshme të Edi Ramës dhe qeverisë së tij.

Është shumë shpresëdhënëse që makineria e propagandës së qeverisë çdo ditë ndryshon tezat, se po i dështojnë. Tani po na akuzojnë që të heqim dorë nga gjuha e urrejtjes. Po a ka gjuhë urrejtjeje në këtë shesh?

Nëse gjuhë urrejtjeje është të përbuzësh korrupsionin, ne nuk do të ndalojmë së përbuzuri korrupsionin. Nëse gjuhë urrejtjeje është që të kërkosh largimin e qeverisë më të korruptuar në Evropë, ne nuk do të ndalojmë derisa kjo qeveri të largohet.

Dhe nëse kjo qeveri nuk largohet, ne do të kujdesemi që ta rrëzojmë, sepse ne nuk e durojmë korrupsionin, nënshtrimin, krimin e organizuar, i cili blen vota për t’i shërbyer qeverisë dhe më pas qeveria na shtyp ne për t’i shërbyer krimit. Ky shesh, për 69 ditë, është kthyer në një vatër shprese, në një vatër që shpërndan dashuri të pafundme.

Shqiptarët nga diaspora në protestë: Nëse nuk i mbajmë ne, do vdisnin për të ngrënë!

Shqiptarë të ardhur nga diaspora i janë bashkuar protestës së 69-të kundër qeverisë, duke ngritur shqetësimin për gjendjen ekonomike të familjeve të tyre në Shqipëri.

Një qytetare që jeton në Milano tha se është rikthyer për të protestuar, ndërsa u shpreh se prindërit e saj jetojnë me 100 mijë lekë pension.

Jemi emigrantë, unë vij nga Milano. Kemi prindërit këtu. Si mund të jetojnë ato me 100 mijë lekë pension. Nëse ne nuk do i mbanin do vdisnin për të ngrënë dhe do jetonin në kushte të mjerueshme…”, u shpreh ajo.

Ndërkohë, një tjetër shqiptar i ardhur nga Milano tha se qytetarët janë zhgënjyer nga të dyja forcat politike dhe kërkojnë një ndryshim të qasjes.

“E majta e djathta na kanë mashtruar. Jemi të mashtruar. Kërkojmë një qasje të re. Ta marrë rinia në dorë”, u shpreh ai.

“Jemi kthyer në lypësa te fëmijët tanë!”- Pensionisti: Minimumi jetik duhet të jetë të kërkesa kryesore!

Një pensionist ka ngritur shqetësimin për kushtet ekonomike të të moshuarve nga protesta e 69-të kundër qeverisë, duke kërkuar që minimumi jetik të jetë një nga kërkesat kryesore të qytetarëve.

Ai u shpreh se pa garantimin e minimumit jetik nuk mund të sigurohet një jetë normale dhe bëri thirrje që pensionistët të bashkohen në protestë.

“Pensionistët duhet të vijnë të gjithë, të mos rrinë në shtëpi, të mos rrinë skutave, por të vijnë të gjithë këtu. Jemi kthyer në lypësa te fëmijët tanë”, deklaroi ai.

Në fund, ai kërkoi që qytetarët të vijojnë qëndrimin para institucioneve, duke bërë thirrje që të ngujohen para Kryeministrisë.

Pensionisti: Duhet të vihet në pikë të parë minimumi jetik, edhe te kërkesat tona. Duhet, sepse pa minimum jetik nuk jetohet. Minimumi jetik është kryesori, është i miratuar edhe në Kushtetutën tonë. Minimumi jetik është i shkruar në Kushtetutë, ashtu si paga minimale, nuk ka llogari.

Pensionistët duhet të vijnë të gjithë, të mos rrinë në shtëpi, të mos rrinë skutave, por të vijnë të gjithë këtu. Jemi kthyer në lypësa te fëmijët tanë.

Kemi punuar gjithë jetën. Kam punuar 25 vite, nuk e njohin. Duhet të vijnë të ngujohen në shesh, të mos flemë në shtëpi, por të ngujohemi para Kryeministrisë. Të shkruhet te pikat tona që duhet minimumi jetik, në çdo lloj qeverie. Nuk ka shtet pa minimum jetik.

Protestuesit marshojnë nga Sheshi Skënderbej drejt Kryeministrisë në ditën e 69-të

Qytetarët kanë marshuar nga Sheshi Skënderbej në drejtim të Kryeministrisë, në kuadër të protestës kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, e cila këtë të premte ka hyrë në ditën e 69-të.

Qytetarët janë nisur në grup drejt bulevardit, duke përsëritur gjatë marshimit disa prej thirrjeve që janë kthyer në refren të protestave të përditshme.

Ndër sloganet e brohoritura nga protestuesit janë: “Rama në burg, Berisha në burg!”, “Shqipëria kërkon revolucion!”, “Ju erdhi fundi!”, “Edi Rama, jep dorëheqjen!”

Gjithashtu, protestuesit kanë përdorur edhe thirrje të tjera kundër përfaqësuesve të qeverisë, ndaj deputetes socialiste Sara Mila: “Sara Mila, ushtare e sulltanit, ke të fala nga burgu i Elbasanit!”

Protestuesit kanë ngritur akuza edhe për situatën në shëndetësi dhe pensionet, duke brohoritur: “Ju vidhni në spitale, ju vidhni në pensione, ju vidhni pa pikë turpi, pilaf në jetimore!”

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat